Ndërlidhjet

ME HEDHJEN E VOTËS, QYTETARËT PRESIN NDRYSHIME POZITIVE


Arton Konushevci

Qytetarët e parë që kanë votuar sot, shprehen optimistë për të ardhmen e tyre, me një udhëheqje më të mirë të vendit nga politikanët. ‘Të votosh është e drejtë qytetare dhe unë kam dalë për të votuar’, thotë Abaz Osmani, nga Prishtina. “Presim ta kryejmë obligimin qytetar. Me Kushtetutë është edhe detyrë, edhe e drejtë, që duhet të shfrytëzohet. Sigurisht, presim ndryshime që sjellin risi, sjellin një pushtet më stabil, sjellin njerëz që do të jenë përgjegjës për punën që do ta kryejnë”, shprehet Osmani. Edhe Melihate Osmani thotë se pret që pas këtyre zgjedhjeve të ketë ndryshime më të mira për qytetarët. “Pres diçka shumë më mirë. Shpresojmë se do të bëhet mirë. Po ndjehem krenare që ne dimë dhe ia dalim”, u shpreh ajo. Ajet Krasniqi thotë se ndihet i lumtur që do të votojë. Ai thotë se është kënaqësi të votosh për ata që dëshiron, sepse, siç shprehet ai, vite më parë kanë qenë të detyruar të votojnë për atë që është thënë nga të tjerët. “Po, ndjehem shumë mirë. Jam i kënaqur me këtë ditë. Jam bërë 81 vjeçar dhe kisha dëshirë të votoj, sepse në ato kohërat e vjetra, kur ishim në komunizëm, na kanë thënë ‘qite në këtë kuti’, e tash jemi të lirë të votojmë ku duam; kjo demokraci e mirë. Dhe, këto të bëhen djem të mirë, punëtorë të mirë dhe t’i realizojnë ato që premtojnë”, tha Krasniqi. Sanie Sheremeti thotë se ndihet mirë që ka votuar dhe thotë se do të jetë një gjë e mirë nëse politikanët do të realizojnë 10 për qind të premtimeve të tyre. “Votova... Vërtet ndihem shumë mirë. Por, ndihem mirë edhe nëse vërtet do të ketë ndërrime. Kisha pasur dëshirë që vërtet të ketë ndërrime për të mirë në Kosovë. Vërtet janë premtime të mëdha, por po të realizohen 10 për qind, do të isha e lumtur”, shprehet Sheremeti. Shemsi Bahtiri mendon se do të ketë ndryshime dhe se të votuarit është e drejtë legjitime. “Presim diçka të re. Zgjedhjet janë e drejtë legjitime e çdo qytetari. Prandaj, qytetarët dalin për t’u deklaruar për atë, për të cilin janë përcaktuar më herët. Besoj se çdonjëri ka dalë me një optimizëm”, tha Bahtiri. Hilmi Cena, i cili ka ardhur në shkollën fillore ‘Faik Konica’ për të votuar, thotë se ka probleme dhe nuk di se ku të shkojë për të votuar. Megjithatë, ai thotë se deri më tash nuk ka qenë i kënaqur me udhëheqjen e politikanëve dhe pret ndryshime. “Po kërkoj vendin ku duhet të votoj, por s’po shoh dikë që po më orienton”, tha Cena.

XS
SM
MD
LG