Ndërlidhjet

NË PRITJE TË OFERTAVE PËR KOALICIONIN QEVERISËS


Arton Konushevci

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se nuk do të mbajnë qëndrim refuzues ndaj asnjë subjekti politik, për të pasur koalicione, përderisa partitë tjera politike që kanë fituar përqindjen më të vogël të votave, janë duke pritur ftesa zyrtare të PDK-së, e cila nga rezultatet e deritanishme jozyrtare, ka fituar 34% të votave. Hajredin Kuçi ka thënë se PDK-ja është orientuar te programet e veta dhe se është e interesuar për një qeverisje stabile. “PDK-ja është në krijimin e politikave programore dhe natyrisht orientimet e veta politike i ka me një hierarki. Ne do të jemi me orientim për një qeverisje stabile, profesionale dhe shumë të mirë e të ndershme. Besoj, javën që vjen, do të jemi edhe me oferta konkrete. Natyrisht, PDK-ja nuk është refuzuese ndaj asnjë subjekti politik, përkundrazi do ta gjejë formën më të mirë për integrim”, tha Kuçi. Ai shtoi se Partia Demokratike e Kosovës është komode në përcaktimin e vet dhe se fitorja në këto zgjedhje krijon këtë mundësi. Kuçi tha se Partia Demokratike e Kosovës do të jetë e përgjegjshme dhe, sipas tij, askush nuk do të ndihet keq me qeverisjen e PDK-së. Kurse, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se janë në pritje të rezultatit përfundimtar. Ata kanë thënë se nuk presin ndonjë ndryshim të madh nga humbja e LDK-së. Nga ana tjetër, sot, Eqrem Kryeziu ka ofruar dorëheqje nga posti i tij si nënkryetar i LDK-së. “Unë kam ofruar dorëheqjen; është çështje e Kryesisë se çfarë bën. Ne jemi të modës së vjetër ndoshta, por patjetër duhet t’i mbajmë fjalët që i kemi dhënë”, u shpreh Kryeziu. Sido që të jetë, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka bërë një analizë të përgjithshme të procesit zgjedhor në Kosovë dhe ka konstatuar se në përgjithësi ky proces ka qenë i rregullt dhe është zhvilluar në frymën e demokracisë. Kurse, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, ka thënë se ende nuk kanë ndonjë ofertë zyrtare nga asnjë parti politike. Por, ai ka thënë se nëse AKR-ja do të bëjë ndonjë marrëveshje me ndonjë parti politike, nuk do të shkojë atje vetëm për atë sa për të marrë pjesë në qeveri. “Do të ketë ndryshime dhe AKR-ja do ta forcojë edhe ca pozicionin e saj. Mbi bazën e atij pozicioni, duke qenë partia e tretë e bindshme, do të negociojë nëse ka oferta prej partnerëve. Por, e ka thënë edhe presidenti ynë, se do të negociojmë vetëm me ata që na ftojnë seriozisht që të jemi pjesë e projektit qeverisës dhe të futemi për ndryshime pozitive, që të jemi me gjithë ata që janë konstruktivë; jo vetëm sa për të na bërë pjesë të një qeverie, por ku do të marrim përgjegjësitë tona për çështje të caktuara”, tha Gashi. Ndërsa, kryetari i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, ka thënë se ende nuk e kanë shqyrtuar mundësinë e ndonjë ftese të mundshme për koalicion dhe, siç tha ai, ende duhet të priten rezultatet përfundimtare dhe iniciativat e ndryshme. “Nuk i kemi hyrë fare këtij shqyrtimi të asnjërës prej mundësive. Ende jemi në fazën kur do pritur rezultatet, do pritur iniciativat e ndryshme të partneriteteve, sepse ne kemi të bëjmë edhe me partneritete në nivel lokal. Kështu që të gjitha këto duhet të zhvillohen në një formë bukur intensive, gjatë këtyre ditëve. Po e shihni se i kemi hyrë kësaj pune me qetësi të mirë. Jemi në kontakt të natyrshëm me të gjitha partitë që janë në Ekip të Unitetit. U përket atyre që i kanë fituar këto zgjedhje që të mendojnë formën më të mirë të mundshme. Prej nesh çdoherë besoj se kanë pasur dorë të shtrirë të gjithë ata që kanë marrë iniciativa për të mirën e Kosovës dhe nuk kanë pse të mos presin dorë të shtrire tash”, tha Surroi. Megjithatë, zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë thënë se do t’i bëjnë të gjitha përpjekjet, që para datës 10 dhjetor të jenë të konstituuara të gjitha institucionet e reja të Kosovës.

XS
SM
MD
LG