Ndërlidhjet

BRUKSEL


Ministrat e Jashtëm të BE-së, sot, në Bruksel, kanë diskutuar për statusin e ardhshëm të Kosovës. "Kosova duhet ta ketë pavarësinë e saj, por ajo nuk duhet të jetë pavarësi e njëanshme e pa menaxhuar. Shpallja duhet të bëhet në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare", tha para takimit ministri britanik për Evropën, Jim Murphy. Murphy deklaroi se kjo është "një sfidë evropiane", zgjidhja e së cilës "nuk mund të kërkohet nga Shtetet e Bashkuara". Ai tutje tha se më shumë se 20 shtete anëtare të BE-së e mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës, por, sipas tij, nuk duhet harruar se "BE-ja ka 27 anëtarë". Shefi i diplomacisë suedeze i bëri thirrje liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, mos t’i ngritë tensionet në vend dhe tha se çdo lëvizje e nxituar mund të çojë në izolim të Kosovës. "Zoti Thaçi duhet të kuptojë se ka dallim ndërmjet të qenit politikan në opozitë dhe të qenit kryeministër me përgjegjësi", tha ai. "Nuk mendoj se kosovarët duan të jenë të pavarur nga bashkësia ndërkombëtare", tha Bildt. Ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plassnik, tha se thirrjet e Thaçit nuk janë befasi, por u bëri thirrje shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë të mos i acarojnë tensionet e ndërsjella. "Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha palëve që në këtë klimë të sillen me kujdes. Kjo vlen si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën", tha Plassnik. "Ne po përpiqemi t'i bindim kosovarët të mos vazhdojnë me shpalljen e pavarësisë pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare", tha ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn. "Thaçi, i cili kishte ndikim të madh gjatë luftës, por edhe tash, e di se shpallja e njëanshme e pavarësisë mund të jetë një gjë e keqe", tha Asselborn.
XS
SM
MD
LG