Ndërlidhjet

IVANOVIQ: PAVARËSIA DO TË SHPALLET VETËM NËSE KA PRESION AMERIKAN


Intervistë me Oliver Ivanoviqin nga Lista Serbe

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ivanoviq, në Baden të Austrisë nën ndërmjetësimin e Treshes, mbahen takimet e fundit nga faza shtesë e negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit. Cilat janë pritjet e juaja dhe a konsideroni se ka ende gjasa për ndonjë marrëveshje të mundshme?

OLIVER IVANOVIQ
Së pari mendoj se nuk duhet të ketë pritje të mëdha pasi që nuk është momenti që ndonjëra prej palëve në bisedime të lëviz nga pozicioni fillestar, dhe mendoj se kjo nuk do të ndodhë në takimin e radhës dhe mendoj se mund të ketë lëvizje të vogla. Së dyti, nuk mendoj se bisedimet përfundojnë me këtë takim dhe se mendoj se të dyja palët janë të vetëdijshme për këtë dhe llogarisin që në fazat e mëpasshme nën ndikimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë do të vijë deri te ndojë zgjidhje, por kjo do të ndodhë mjaftë vonë, vitin tjetër. Sipas kësaj, kjo do të përfundoj ashtu si edhe ka filluar. Treshja ndërmjetësuese duhet ta pranoj se nuk ka arritur që t’i përafëroj palët në bisedime. Nuk do të ketë zgjidhje, do të thotë se nuk do të ketë Rezolutë të Këshillit të Sigurimit, dhe pastaj do të shohim se çka do të thonë fuqitë e mëdha lidhur me këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekipi Negociues i Prishtinës ka thënë se hapi i parë pas 10 dhjetorit do të jetë shpallja e pavarësisë. Si e komentoni dhe si e shihni ju këtë mesazh?

OLIVER IVANOVIQ
Nuk ka dilemë që pala shqiptare nga Prishtina dëshiron me çdo kusht që me një akt të njëanshëm ta shpejtojnë këtë proces, por unë mendoj se Prishtina nuk do të ndërmarrë asgjë që nuk do të përkrahet nga Amerika dhe Bashkimit Evropian. Do të thotë se priten shenjat nga Amrika dhe Bashkimi Evropian dhe nëse do të vijë deri të shpallja e njëanshme kjo do të jetë mjaftë e rrezikshme dhe mjaftë e keqe, por ky nuk do të jetë vullneti i shqiptarëve, ky do të jetë presion nga Amerika.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë efektet e shpalljes eventuale të pavarësisë së Kosovës pa një rezolutë paraprake nga Këshilli i Sigurimit?

OLIVER IVANOVIQ
Sigurisht që kjo do të destabilizonte së pari këtu serbët e Kosovës e pastaj edhe tërë Serbinë. Sigurisht që kjo do të sillte deri te gjendja kur Serbia do të ndërmerrte disa masa e më pas reagime të ngjashme do të kishte edhe në Bosnje e Hercegovinë, por nuk i përjashtoj edhe trazirat në Mal të Zi dhe në tërë rajonin. Do të thotë kemi një atmosferë mjaftë të nxehtë ku është e mjaftueshme një shkëndijë që të shpërthejnë sërish përleshjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse mund t’u kthehemi edhe zgjedhjeve. Serbët i bojkotuan këto zgjedhje, por cilat do të jenë efektet e këtij bojkoti?

OLIVER IVANOVIQ
Do të jetë mjaftë vështirë në ato komuna ku serbët përbëjnë shumicën, pasi që shikuar formalisht shqiptarët e Kosovës do të mund t’i zgjedhin kryetarët e këtyre komunave. Praktikisht mendoj se nuk do të mund të veprojnë në këto komuna ku ka shumicë absolute të serbëve dhe nga kjo arsye unë apeloj si te politika, si ta quaj e pjekur e shqiptarëve të Kosovës ashtu edhe te UNMIK-u. Në këtë kuptim propozoj që ata të gjejnë zgjidhje të cilat nuk do të provokonin pjesën tjetër të komunitetit serb dhe me këtë të vinte deri te konfliktet e reja. Në një gjendje të tillë të tensionuar nuk na duhet edhe një element që do të mund të ishte lement i destabilizimit. Nuk e di se cila do të jetë zgjidhja, por pres që UNMIK-u do ta rregulloj këtë me ndonjë rregullore të re.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka vlerësime nga politikanët serb se bojkoti i ka dëmtuar më shumë serbët në komunat në pjesën qendrore të Kosovës sesa ato ën veri. Cili është vlerësimi i juaj në këtë kontekst?

OLIVER IVANOVIQ
Nuk mendoj se bojkoti do t’i shkoj në dobi dikujt, madje as serbëve në veri, ngase shikuar tash për tash ndoshta ndjenja e sigurisë në veri është më e madhe, por mendoj se në një afat më të gjatë nëse nuk vihet kontakti me shqiptarët e Kosovës edhe atë përmes institucioneve, mendoj se do të kemi një periudhë mjaftë të tensionuar dhe në një gjendje të tillë serbët edhe më tutje do të ndiheshin të pasigurtë dhe me siguri që do të largoheshin nga Kosova.

Intervistoi Zijadin Gashi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG