Ndërlidhjet

KNS KËRKON MOBILIZIM SHTETËROR KUNDËR PAVARËSISË SË KOSOVËS


Albana Isufi

Këshilli Nacional Serb ka kërkuar nga shteti serb që të mobilizohet në të gjithë sektorët e mundshëm, në mënyrë që të mos lejojë implementimin e pavarësisë së Kosovës, në rast se ajo shpallet nga ana e institucioneve të Kosovës. Njëri nga liderët e këtij këshilli, Millan Ivanoviq, thotë se serbët nuk do ta pranojnë kurrë pavarësinë. “Ne në Kosovë kurrë nuk do ta pranojmë pavarësinë. Presim reagime të shpejta dhe të fuqishme dhe një unifikim të fuqishëm të komunitetit serb, veçanërisht të Qeverisë serbe në Beograd, që nënkupton reagim në të gjitha variantet e mundshme, në të gjitha alternativat. Presim një mobilizim të plotë me të gjitha potencialet dhe shpresojmë që këto masa që do t’i ndërmarrë qeveria, para së gjithash, të nënkuptojnë mobilizim të sigurisë”, tha Ivanoviq, duke kërkuar edhe kthimin e forcave serbe atje, ku, sipas tij, paraqitet më tepër nevoja. Një mobilizim të shtetit serb kundër pavarësisë së Kosovës e ka kërkuar edhe peshkopi serb Artemie. Por, në anën tjetër, përfaqësues të subjekteve politike serbe që kanë arritur të hyjnë në Kuvendin e Kosovës, kanë qëndrime të ndryshme rreth rolit që ata do të mund ta luajnë në raport me statusin politik të Kosovës. Sllobodan Petroviq, nga Partia e Pavarur Liberale, që ka marrë tri ulëse në Kuvend, thotë se kjo çështje është në duar të komunitetit ndërkombëtar dhe serbët s’mund të luajnë ndonjë rol në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës. “Procesi për statusin e ardhshëm të Kosovës është në fazën përfundimtare dhe për këtë vendosin fuqitë e mëdha. Ne jemi një subjekt, që angazhohet në atë fushë ku ka mundësi të bëjë diçka. Sa i përket serbëve të Kosovës, ne nuk mund të ndryshojmë asgjë, pasi vendimi do të merret në Këshillin e Sigurimit”, thotë Sllobodan Petroviq. Por, ish-ministri i Kthimit, Sllavisha Petkoviq, Partia Demokratike e të cilit po ashtu ka marrë tri ulëse në Kuvend, thotë se nuk do të jenë më pjesë e proceseve, nëse shpallet pavarësia njëanshëm nga ana e shqiptarëve të Kosovës. “Nuk mund të pranojmë pavarësi të njëanshme. Nuk mund të pranojmë zgjidhje të njëanshme. Nëse Këshilli i Sigurimit, me rezolutë të re, i jep Kosovës pavarësi, kjo për ne është e pranueshme. Por, kurrsesi nuk është e pranueshme që dikush ta bëjë vetë këtë”, tha Petkoviq, i cili nuk do të kishte asgjë kundër pavarësisë, nëse kjo do të arrihej me pëlqimin e Prishtinës dhe të Beogradit. Bojkoti i zgjedhjeve të 17 nëntorit nga ana e serbëve të Kosovës ka bërë që në mandatin e ardhshëm të Kuvendit, serbët t’i sigurojnë vetëm 10 vendet e rezervuara në bazë të Kornizës Kushtetuese. Partia Demokratike Serbe e Sllavisha Petkoviqit, bashkë me tri parti tjera, kanë formuar një koalicion që do të përfaqësohet si grup i vetëm parlamentar, i cili mëton t’i mbrojë më mirë interesat e serbëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG