Ndërlidhjet

GORAZHDEC: PËRLESHJE MES SERBËVE DHE SIGURIMIT TË KOMANDANTIT TË KFOR-IT


Albana Isufi

Një grup pjesëtarësh të komunitetit serb janë përleshur me pjesëtarë të sigurimit të shefit të misionit të OKB-së, Joachim Ruecker dhe të komandantit të forcave paqeruajtëse të NATO-s, Xavier de Marnac, gjatë vizitës së tyre në fshatin Gorazhdec të Pejës, të banuar me shumicë serbe. Deri te incidenti duket se ka ardhur pas përpjekjeve të dhunshme të disa qytetarëve serbë, për të depërtuar deri në ndërtesën ku zoti Ruecker dhe gjenerali De Marnac po zhvillonin një takim me disa politikanë serbë, të cilët protestuesit i kanë quajtur jolegjitimë. Gjatë këtyre përpjekjeve, pjesëtarë nga turma kanë goditur edhe pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, duke nxitur përleshje fizike. Zoti Ruecker e ka dënuar incidentin dhe e ka cilësuar atë si të papranueshëm, duke thënë se si të tillë do ta prezantojë edhe në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas Drenko Todoroviqit, nga Partia e Pavarur Liberale, i cili ishte i pranishëm në takimin me zotin Ruecker dhe gjeneralin De Marnac, incidenti është shkaktuar pasi që anëtarët e Qendrës Koordinuese kanë filluar të përleshen me rojet e zotit Ruecker dhe mandej kanë sulmuar edhe ata serbë që kanë qenë në takim, në ndërkohë që zoti Ruecker dhe gjenerali De Marnac kanë lëshuar sallën. Todoroviq ka thënë se pjesëtarët e Qendrës Koordinuese Serbe kanë filluar incidentin, duke i konsideruar pjesëmarrësit serbë në takimin me përfaqësuesit ndërkombëtarë si jolegjitimë. Ndërkohë, edhe kryeadministratori Ruecker ka deklaruar se i është thënë se incidenti është ndikuar nga Beogradi dhe ka shtuar se ky natyrisht duhet të verifikohet.
XS
SM
MD
LG