Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS DO TA KONSIDEROJNË JOVALIDE SHPALLJEN E NJËANSHME TË PAVARËSISË


Bekim Bislimi

Serbët e Kosovës nuk do ta pranojnë si një akt valid shpalljen eventuale të pavarësisë së Kosovës nga ana e Parlamentit kosovar dhe një vendim të tillë do ta hidhnin poshtë si të papranueshëm. Kështu thonë disa nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Milan Ivanoviq, drejtues i Këshillit Nacional Serb, thotë se vendimi eventual i Kuvendit të Kosovës për shpalljen e pavarësisë, do të ishte një akt i njëanshëm dhe i kundërligjshëm dhe se serbët nuk do ta pranonin. “Serbët do ta refuzonin një vendim të tillë si të kundërligjshëm, si vendim që është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, si dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë”, tha Ivanoviq, duke shtuar se një vendim i tillë do të ndikonte në destabilizimin afatgjatë të të gjitha proceseve, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Ngjashëm pohon edhe Rangjell Nojkiq, lider i Listës Serbe për Kosovën, i cili thekson se shpallja e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, nga serbët e Kosovës do të konsiderohej e papranueshme dhe jovalide, nëse nuk njihet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, e që nënkupton SHBA-të, Rusinë dhe Bashkimin Evropian. “Nëse nuk vjen deri te pranimi i këtij vendimi nga këta faktorë ndërkombëtarë, atëherë një vendim i tillë nuk do ta ketë fuqinë për veprim”, theksoi Nojkiq. Ndërkaq, Dragisha Kërstoviq, deputet nga Lista Serbe për Kosovën, thotë se ka pasur zëra tek serbët që kanë pohuar se në rast të shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, do të ndërmerren hapa shumë seriozë që një akt i tillë të zhvleftësohet. “Kjo, mua më duket e pakuptimtë. Çka mund të fitohet praktikisht me këtë? Kush do të ketë instrumente që të ndalojë një pavarësi të vërtetë, e cila, sidoqoftë, do të ishte e prekshme dhe e dukshme”, tha Kërstoviq. Ndryshe, të gjithë këta përfaqësues politikë serbë theksojnë se pavarësia e Kosovës nuk do të mund të funksionalizohej në mjediset ku jetojnë serbët si shumicë. Milan Ivanoviq thotë se pavarësisht asaj se shpallja e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës mund të jetë epilog i këtij procesi, serbët nuk do të shpallin diçka të ngjashme për pjesën veriore, si kundërpërgjigje ndaj vendimeve të Kuvendit të Kosovës. “Është e sigurt se nuk do ta shpallim pavarësinë e pjesës veriore, sepse serbët jetojnë edhe në pjesën qendrore, në Anamoravë, në Shtërpce dhe në pjesët tjera. Të gjitha vendimet tona do t’i marrim së bashku me udhëheqësinë shtetërore”, tha Ivanoviq. Ndryshe shpreh mendimin Nojkiq: “Është e mundur që kjo të ndodhë, por mendoj se do të ishte vendim shumë i gabuar. Në një rast të tillë, serbët në Kosovën Qendrore do të gjendeshin në një situatë shumë delikate”. Ndërkaq, Kërstoviq thotë se është pikëpyetje e madhe se a do të ndodhë që serbët të shpallin një vendim që veriu i Kosovës të mbetet në kuadër të Serbisë. “Për diçka të tillë nevojitet një pëlqim. Mendoj se serbët e Kosovës, për një vendim të tillë, do ta kërkojnë pëlqimin e Beogradit, por është e mundur që për diçka të tillë të kërkojnë edhe pëlqimin e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Kërstoviq.
XS
SM
MD
LG