Ndërlidhjet

KOSOVARËT: UNIFIKIMI I BE-SË PRO PAVARËSISË – MOMENT HISTORIK


Albana Isufi

Në ditën kur liderët e Bashkimit Evropian po diskutojnë për Kosovën, analistë kosovarë konsiderojnë se më në fund Bashkimi Evropian po përforcon rolin e tij, në përcaktimin e statusit final të Kosovës. Kosovarët mendojnë se unifikimi i pothuaj tërë bllokut 27 anëtarësh për pavarësinë e Kosovës, paraqet moment historik, meqë BE-ja, në mungesë të një politike unike të jashtme, rrallë ka qëndrim unik për çështje të mëdha. Analisti politik, Ilir Dugolli, thotë se në të vërtetë BE-ja tani është duke marrë rolin që edhe i takon. “Deri më tani, BE-ja, për fat të keq, është përpjekur që të jetë sa më neutrale edhe në përplasjet mes SHBA-ve e Rusisë; është përpjekur të jetë neutrale dhe të qëndrojë në mes; madje, në një kohë është përpjekur që ta krijojë këtë shtegun e tretë të veprimit, në ato qëndrime krejtësisht të ndryshme të SHBA-ve në njërën anë dhe të Rusisë në anën tjetër. Tani, siç duket, e kanë kuptuar se nuk mund të ketë një shteg të tretë dhe se duhet t’i bashkohen atij qëndrimi të SHBA-ve dhe shteteve kryesore evropiane dhe është duke marrë përgjegjësi, që në fund të fundit i takojnë, sepse Kosova është brenda kufijve të Evropës dhe BE-së; duhet të ketë një rol të rëndësishëm në atë periudhën pas-statusore”, tha Dugolli. Qëndrimi unik i shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian karshi pavarësisë së Kosovës, sipas këshilltarit të kryeministrit, Arben Qirezi, në një mënyrë është arritur edhe për shkak të qëndrimit të vazhdueshëm kundërshtues të Rusisë. “Me gjasë, ky pozicionim i BE-së është stimuluar nga qëndrimi kokëfortë i Rusisë, i cili ka qenë në kundërshtim me të gjitha vijat e deriatëhershme, edhe me vijën e OKB-së, pasi që plani i zotit Ahtisaari qe bërë në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe se në Këshillin e Sigurimit dihet se Rusia ka qenë e vetmja ajo që ka kundërshtuar miratimin e këtij plani”, tha Qirezi. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, pas raundit të fundit të negociatave, kanë bërë të qartë se çështja e statusit nuk duhet të shtyhet më dhe se më së largu deri në pranverë duhet të gjendet zgjidhja. Në anën tjetër, Rusia sërish ka kërkuar negociata shtesë. Ilir Dugolli mendon se kësaj here as SHBA-të e as BE-ja nuk do të lëshojnë pe ndaj kësaj kërkese të Rusisë. “Mendoj se pas këtij raundi 120 ditësh të bisedimeve, Bashkimi Evropian është më i fortë se që ka qenë më parë, për të kundërshtuar; edhe vërtet nuk besoj se do ta përulin veten aq shumë, sa për t’iu nënshtruar diktatit dhe lojës së Rusisë. Ajo që qartazi ka qenë e dukshme nga fillimi i procesit të Vjenës e deri tash, është se Rusia dhe Serbia llogarisin në zvarritje, në blerje të kohës, jo nga shpresa e arritjes së ndonjë marrëveshjeje, por si formë të lojës me nerva të kosovarëve dhe evropianëve, dhe duke llogaritur në një shpërthim të mundshëm, që mandej do ta paguajnë kosovarët, shqiptarët, do ta paguajë Evropa”, u shpreh Dugolli. Ai mendon po ashtu se pala kosovare qysh tani duhet ta bëjë të qartë datën se kur do ta shpallë pavarësinë e Kosovës. Në anën tjetër, Arben Qirezi mendon se sërish do të ketë disa faktorë, që do të bëjnë që pavarësia të mos shpallet menjëherë, por do të shtyhet edhe për pak muaj. “Janë këto kalkulimet që bëhen për sa i përket zhvillimeve të brendshme politike, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Dihet se në Kosovë, pas zgjedhjeve, pritet të bëhet edhe konstituimi i Parlamentit të Kosovës, krijimi i qeverisë. Natyrisht se ka punë, derisa të vijë te shpallja formale e pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër, zgjedhjet presidenciale në Serbi janë caktuar për fundin e janarit. Aty do të ketë dy raunde të zgjedhjeve dhe BE-ja nuk do që ta trazojë skenën politike serbe, forcat që BE-ja do të dëshironte t’i shihte si fituese në zgjedhjet në Serbi dhe kështu që do që t’i japë kohë zhvillimeve të brendshme politike edhe në Kosovë, edhe në Serbi, që të përfundojnë dhe pastaj të shkohet më tutje me vendime konkrete”, theksoi Qirezi. Sido që të jetë, disa analistë kosovarë mendojnë se Kosova nuk duhet të ngutet me shpalljen e pavarësisë, pasi që pas pozicionit të fundit të BE-së për pavarësinë e Kosovës, më nuk bëhet fjalë për shpallje unilaterale, por tashmë për një shpallje të koordinuar me komunitetin ndërkombëtar.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG