Ndërlidhjet

DERVISHI:”PAVARËSINË DUHET TA SHPALLIM PAS SHKARKIMIT TË REZOLUTËS 1244”


Teki DERVISHI, dramaturg dhe publicist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dervishi, ditë më parë, ka përfunduar afati 120 ditësh i bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, lidhur me definimin e statusit politik të Kosovës. Cilat, sipas jush, mund të jenë rrjedhat e ardhshme në procesin e definimit të statusit politik të Kosovës?

TEKI DERVISHI
Është shumë vështirë të prejudikohen rrjedhat, për arsye shumë të thjeshtë, sepse shqiptarët nuk kanë faktoritet politik. Siç po shihet tashmë, në marrëdhëniet ruso-evropiane, faktikisht faktori ndërkombëtar vendos për ne. Ne jemi në një situatë, ku lutet nga ne që mos t’i prishim këto bisedime mbipolare politike, mos ta rrezikojmë paqen, kurse dihet shumë mirë që ne jemi në mosmarrëveshje, mos të them në konflikt, me një shtet që ka armatën e vet, ka policinë, është i pavarur, domethënë i ka të gjitha atributet e një shteti sovran. Ndërsa, ne nuk kemi as armatë, as polici, nuk kemi as ingerenca politike, por këto janë shumë formale. Domethënë, janë disa institucione që zyrtarisht quhen të përkohshme. Në Kosovë nuk ndodh asgjë tjetër përpos gazetarisë, e cila është e instrumentalizuar dhe bën analiza boshe dhe të shterura. Kurse, zgjidhja e Kosovës ndodh diku krejt tjetër, ndodh në Bruksel, në Moskë ose në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk do të mund të bëhet pa sinjale të bashkësisë ndërkombëtare dhe kur mendoni se mund të arrijë një sinjal i tillë?

TEKI DERVISHI
Mendoj se kështu siç janë zhvilluar proceset, një sinjal i tillë është pak edhe absurd të ndodhë. Nuk besoj se ka ndodhur ndonjëherë në politikë që dikush ta marrë një shkresë, një akt, një vendim, një mbledhje dhe të thotë se ‘prej ditës së sotme mund ta shpallni pavarësinë’. Mendoj se pavarësinë duhet ta shpallim pas shkarkimit të Rezolutës 1244. Në çfarë forme do ta bëjë bashkësia ndërkombëtare këtë gjë, është shumë vështirë të dihet, sepse, politika, siç thashë edhe përpara, nuk bëhet nëpër gazeta. Diplomacia është një shkathtësi, një shkencë shumë e madhe dhe ata që prejudikojnë në këso rrethanash, vazhdimisht, së paku deri sot, kanë dalë të gabuar. Një zgjidhje e problemit të Kosovës, duke qenë në formë ose duke qenë aktuale Rezoluta 1244, do të përkthehej si një konfederatë, ose si një autonomi me të drejta dhe ingerenca të plota politike. Do të ishte çdo gjë tjetër, por jo pavarësi e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Kosovë kanë përfunduar. Cilat do të ishin dëmet që do t’i shkaktonte një vonesë eventuale e formimit të qeverisë dhe të institucioneve të reja?

TEKI DERVISHI
Ta përkujtoj çështjen e faktoritetit politik shqiptar që mungon. Këto janë institucione përsëri të përkohshme, që do të thotë se përsëri mbi këtë pushtet, i cili do të vendoset, do të sundojnë ose Kombet e Bashkuara, ose rastësisht BE-ja. Kështu që a u vonuan apo u shpejtuan sendet, ne shqiptarët jemi jashtë lojës. Ky është mendimi im, që ne jemi vetëm jashtë lojës.

RADIO EVROPA E LIRË
Opozita e deritashme ka fituar shumicën e votave dhe mandatin për ta formuar qeverinë e re. A mendoni se ekzistojnë parashenja se mund të bëhen ndryshime në mënyrën e qeverisjes prej asaj çfarë ka qenë deri më tash?

TEKI DERVISHI
Ne jemi në një situatë, ku ndryshime nuk mund të bëhen me ide, gjeturi ose me shkathtësi të një klase ose të një partie politike, karshi një partie tjetër, ose një formacioni tjetër politik - situata konkrete e Kosovës, domethënë kriza e thellë ekonomike, mund të them edhe psikologjike, populli i Kosovës është në një gjendje traumatike, është i traumatizuar. Nuk do të mund të kërkojmë kredi nga banka të ndryshme ndërkombëtare, nuk do të kemi ingerenca që ta ndajmë buxhetin e Kosovës vetë, qeveria e ardhshme, si edhe qeveritë e shkuara. Do të thotë, aty ku është substanca e vetëqeverisjes politike në Kosovë, e ajo substancë qëndron në duar të të tjerëve, unë nuk besoj se faktori shqiptar mund të bëjë diçka pa përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, që domethënë as pushteti i ardhshëm. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare tashmë është e qartë, dimensioni i saj dhe formati i saj. Ajo blen kohë, nuk dihet për çka. Çdo ditë tubohen ministrat e ndryshëm të Bashkësisë Evropiane dhe vetëm i rrotullojnë tezat, blejnë kohë, humbin kohë, derisa në Kosovë 80 për qind e popullsisë është pa punë dhe 20 për qind të tjerë që konsiderohen si të punësuar, faktikisht marrin rrogat e nivelit të një asistence sociale të shteteve të Afrikës.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët pak më herët se faktori politik shqiptar është jashtë lojës. A mund të ndryshojë një pozicion i tillë i faktorit shqiptar dhe në çfarë kushtesh?

TEKI DERVISHI
Nuk mund të ndryshojë pa ndryshuar statusi politik i Kosovës. Deri tash nuk ka mundur. Mund të ndodhë ndonjë çudi. Unë nuk kam ide. Duhet ta përmend edhe një gjë, këta njerëz që sot janë në institucione të ndryshme të pushtetit, prej atyre komunale deri te ato qendrore, janë po të njëjtit njerëz të politikë-bërjes, janë të njëjtat garnitura. Kështu që për mua është e pamundur që të shpresoj se mund të ndodhë diçka, që shqiptarët të bëjnë diçka, që do ta pengonte bashkësia ndërkombëtare. Shihet haptas se bashkësia ndërkombëtare e ka barazuar problemin serb me problemin shqiptar. Domethënë, bashkësia ndërkombëtare merret me 5 për qind serbë që janë në Kosovë, merret me falsifikimin e historisë së Kosovës, duke filluar prej kishave që i kanë quajtur serbe, duke qenë ato bizantine. Do të thotë, bëhet një falsifikim i hapur, bëhet një strategji e çuditshme, prej së cilës, unë, si krijues, si shkrimtar, nuk shpresoj se Kosovën e presin ditët e mira edhe një kohë shumë të gjatë.

INTERVISTOI: BEKIM BISLIMI

XS
SM
MD
LG