Ndërlidhjet

KËRKOJNË RRYMË, POR NUK E PAGUAJNË, NDËR BORXHLINJËT AKM-ja ...!


Nadie AHMETI, Prishtinë

Më pak se gjysma e popullatës në Kosovë e paguan energjinë e shpenzuar. Mbi 320 milionë euro është shuma që konsumatorët i kanë borxh Korporatës Energjetike të Kosovës, që prej përfundimit të luftës, thonë zyrtarë në këtë korporatë. Fahredin Maçastena, drejtor ekzekutiv i Divizionit të Furnizimit, pohon se inkasimi i ultë i energjisë është një ndër faktorët kryesorë që qytetarët kosovarë ballafaqohen me reduktime në furnizimin me rrymë. Maçastena thotë se konsumatorët e amvisërisë janë borxhlinjtë më të mëdhenj, pastaj ndërmarrjet private dhe disa nga institucionet qendrore.
“Borxhi total ndaj KEK-ut është 320 milionë euro. Ky borxh kryesisht është në amvisëri; 84 për qind marrin pjesë konsumatorët e amvisërisë, ndërkaq me 16 për qind marrin pjesë konsumatorët industrialë. Po ashtu, vlen të ceket se Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, nga ndërmarrjet e privatizuara, ka borxh mbi 5 milionë euro, që duhet t’i bartë në xhirollogarinë e KEK-ut, por ende asnjë cent nuk e kemi marrë prej tyre”, thotë Maçastena. Si problem tjetër, ai përmend edhe mospagesën e energjisë elektrike nga banorët, të cilët jetojnë në enklavat serbe, që, sipas tij, që nga përfundimi i luftës, asnjëherë nuk kanë paguar faturat e shpenzuara të rrymës. “Është një borxh bukur i madh nga energjia që shkon nëpër enklava; kryesisht popullata serbe nuk e paguan, vetëm e shfrytëzon energjinë. Ne, atë energji e masim, mirëpo nuk e kemi inkasuar asnjëherë. Ne bazë të llogarive tona, afër 27 milionë euro kanë borxh enklavat”, pohon Maçastena. Problemet e KEK-ut nuk mbyllen vetëm me borxhet e konsumatorëve. Maçastena thotë se 22 për qind e energjisë së prodhuar shfrytëzohet në mënyrë ilegale. “Sasia që ne na vidhet, ne e quajmë si humbje komerciale; këtu është jashtëzakonisht e pakënaqshme, kalon në 22-23 për qind. Është shumë për një kompani çfarë jemi ne, është e papërballueshme”, shprehet Maçastena. Edhe ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se inkasimi i ultë i energjisë ndikon shumë në furnizimin me rrymë. Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se në qoftë se përqindja e pagesës së faturave do të ishte më e lartë, atëherë edhe gjendja energjetike padyshim që do të ishte më e kënaqshme. “Padyshim se mospagesa e energjisë elektrike nga qytetarët i shkakton probleme vetë KEK-ut. Sikur kjo përqindje e pagesës do të ishte më ndryshe, besoj se edhe situata me energji elektrike në Kosovë do të ndryshonte paksa”, thotë Keqa. Ndryshe, sipas ligjit, sanksionohet çdo konsumator që keqpërdor dhe nuk paguan energjinë, thotë Ilir Shehu, këshilltar në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave. Ai thotë se vetë Ministria e Energjisë ka marrë disa masa për t’i detyruar konsumatorët që ta paguajnë energjinë elektrike. “Ne kemi një kornizë ligjore të mjaftueshme, që sanksionon çdo keqpërdorim të energjisë elektrike. Kemi Kodin Penal të Kosovës, i cili decidivisht parasheh sanksione ndaj atyre që nuk paguajnë energjinë elektrike. Gjithashtu, pagesa e obligueshme e energjisë elektrike del edhe nga Ligji për Energjinë Elektrike, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës”, thekson Shehu. Një prej masave që janë ndërmarrë deri më tash është edhe platforma e kategorizimit të konsumatorëve në tri segmente, A, B dhe C, që përcaktohen nga shuma që paguhet për energjinë e shpenzuar. Me raste më të rënda, merren edhe gjykatat
XS
SM
MD
LG