Ndërlidhjet

THAÇI E SEJDIU KËRKOJNË KONSULTIME SHTESË PARA MARRËVESHJES PËR KOALICION


Zijadin Gashi

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ende nuk ka arritur ta publikojë marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Udhëheqësit e këtyre dy partive politike thonë se kanë nevojë ende për konsultime shtesë brenda-partiake, para se të kalohet në aktin formal të marrëveshjes për koalicionin. Mandatari Hashim Thaçi i cilësoi këto si konsulta të arsyeshme brenda dy partive në bisedime. “Po zhvillohen konsulta të dyanshme të dy partive politike, konsulta këto që kërkojnë sqarime shtesë dhe konsulta të domosdoshme partiake dhe ndër-partiake. Ne po ndërtojmë institucione shtetërore për të siguruar stabilitet dhe funksionalitet të qëndrueshëm”, theksoi Thaçi. Ndonëse këto konsultime, besohet se nuk e rrezikojnë marrëveshjen në parim që Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu e kanë arritur për qeverinë e re, megjithatë konsultimet e vazhdueshme, pranohet se po zvarrisin jo vetëm arritjen e marrëveshjes, por edhe konstitumin e institucioneve të reja. Presidenti Fatmir Sejdiu, njëherësh dhe kryetar i LDK-së, tha se bisedimet po vazhdojnë dhe nuk mundi të parashikojë se kur do të mund të pritet nënshkrimi i marrëveshjes. “Ne jemi në komunikime dhe mendoj se do të vazhdojmë komunikimet tona në mënyrë korrekte dhe natyrisht që pritet të finalizohet. Unë nuk do të them momentin se do të ndodhë sot apo nesër, sepse varet nga ecja e mëtejshme që do të kemi. Nuk mund t’i them arsyet, por është e nevojshme për secilin subjekt politik që t’i ketë analizat e veta të brendshme, që natyrisht do të reflektojnë me një qëndrim final të akorduar”, pohoi Sejdiu. Ai tha se do të ishte shumë e dobishme që institucionet e reja të formohen sa më shpejt. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ai ende nuk i ka caktuar emrat dhe postet e ministrave të ardhshëm të kabinetit të tij qeveritar. “Unë do të ndërtoj qeveri për Kosovën, për interesat e të gjithë qytetarëve të vendit dhe jo qeveri për asnjë parti politike. Edhe emrat që janë përmendur nëpër media janë të paqëndrueshëm, në kuptimin sepse nuk janë diskutuar në forumet e asnjë partie politike për të marrë përgjegjësi në institucione”, tha Thaçi. Marrëveshja PDK-LDK për qeverinë e re po mban peng edhe thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, i cili, në bazë të afatit ligjor, do të duhej të mblidhej më së largu deri më 5 janar, në mënyrë që Kosova të mos zhytet në vakuum institucional.
XS
SM
MD
LG