Ndërlidhjet

QEHAJA:”DO TË KETË PËRKEQËSIM TË SITUATËS SË SIGURISË”


Ramadan QEHAJA, ekspert i sigurisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Qehaja, me afrimin e përcaktimit të statusit politik të Kosovës, një prej sfidave më serioze përballë institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, është siguria. Si e vlerësoni situatën në këtë drejtim?

RAMADAN QEHAJA
Është e vërtetë se çështjet e sigurisë janë një ndër sfidat më të ndjeshme, me të cilat do të ballafaqohet shoqëria jonë, Qeveria e Kosovës dhe të gjitha strukturat tjera. Mirëpo, marrë në tërësi, nëse e bëjmë një vlerësim të situatës së sigurisë, të momentit aktual, atëherë ne mund ta quajmë atë si mjaft të brishtë, me mundësi të përkeqësimit të saj, nga shkaku se ngjarjet që do të pasojnë këtyre ditëve, siç është shpallja e pavarësisë, mandej fillimi i njohjes së saj nga shtetet e ndryshme veç e veç, gjithsesi do të ndikojnë në përkeqësimin e situatës së sigurisë. Prandaj, unë konsideroj se kemi hyrë në një fazë shumë delikate, mos të them të rrezikshme, kur pritet përkeqësimi i situatës së sigurisë në tërësi, këtu në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit, politikanët serbë kanë deklaruar se do të përdorin masa të ndryshme, për ta penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Cilat mendoni se do të ishin rreziqet potenciale në këtë rrafsh?

RAMADAN QEHAJA
Vërtet që Qeveria serbe, kohën e fundit, ka aprovuar disa masa, siç i quajnë ata sekrete, për ta penguar pavarësinë e Kosovës. Është vështirë të parashihet tërë ajo që ata mund ta ndërmarrin për ta penguar pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, unë mendoj se një përdorim i forcave të armatosura serbe në përmasa të mëdha, është pak i besueshëm në këtë moment, për shkak të refleksioneve të ndryshme dhe situatës së tërësishme, e cila mbretëron në këtë pjesë të Ballkanit. Prandaj, unë nuk pres ndonjë ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Mund të ketë ndonjë demonstrim të forcës së armatosur përgjatë kufirit me Kosovën, do të thotë, për të ndikuar në popullatë, për të zhvilluar një luftë speciale etj. Mirëpo, një përdorim i kësaj force në përmasa të mëdha, nuk ma merr mendja se do të ndodhë. Ajo që duhet vlerësuar për momentin, unë mendoj se çështja më e ndjeshme për ne, këtu në Kosovë, është shkëputja e pjesës veriore të Kosovës. Kur e them këtë, mendoj në pjesën në veri të lumit Ibër, e jo vetëm në pjesën veriore të Mitrovicës, siç po thuhet shpesh, sepse për këtë janë bërë përgatitje paraprake që tetë vjet me radhë, sepse aty ka mjaft edhe forca të brendshme, të cilat janë të gatshme, që në momentin e duhur, të vihen në veprim, për ta shkëputur definitivisht këtë pjesë të territorit tonë, edhe pse ajo deri më tani ka qenë edhe e shkëputur, sepse ne nuk kemi pasur qasje atje. Këtu mendoj, para së gjithash, në forcat e policisë së MUP-it serb, që aty veprojnë. Edhe pse ndoshta në momentin aktual nuk janë në uniformë, ata ekzistojnë. Mandej, shpeshherë, ata e kanë potencuar, edhe sipas doktrinës së tyre, është e mundshme që aty të ketë edhe forca të karakterit të ish-mbrojtjes territoriale. Do të thotë, njerëz që punojnë në struktura paralele, punojnë dhe veprojnë në atë pjesë të territorit, por, në momentin e duhur, mund të kryejnë detyra të ndryshme të karakterit policor apo ushtarak. Dhe, mendoj se në atë pjesë të territorit, shërbimi informativ, civil dhe ushtarak, do të veprojë më të madhe, për t’i kryer detyrat e veta. Në këtë drejtim, shtrohet pyetja se çka mund të ndodhë atje. Unë mendoj se së pari mund të ndodhin sulmet ndaj qytetarëve shqiptarë, që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, edhe pse shqiptarët në atë pjesë janë pakicë. Mund të ndodhin sulme edhe ndaj Shërbimit Policor të Kosovës, që vepron në atë pjesë, por, në pjesën më të madhe, janë pjesëtarë të komunitetit serb. Do të thotë, mund të ketë sulm ndaj SHPK-së dhe, sipas mendimit tim, mund të ndodhë që një pjesë e SHPK-së, e nacionalitetit serb, të kalojë, kushtimisht të them, në anën e kundërt dhe t’i kryejë detyrat që i parashtron Beogradi zyrtar, për të shkëputur këtë pjesë të territorit të Kosovës. Nuk duhet hedhur poshtë mundësinë që aty-këtu të ketë sulme edhe ndaj forcave të KFOR-it, që veprojnë në atë pjesë të territorit, si dhe çështje tjera siç është bllokada e rrugëve, demonstrata etj. dhe në këtë mënyrë ta bëjnë një situatë shumë të ndërlikuar dhe të shkëputet kjo pjesë e territorit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, kërcënimet mbi sigurinë kanë ardhur kryesisht nga disa struktura paralele të sigurisë. Sa janë serioze kërcënimet e tyre?

RAMADAN QEHAJA
Strukturat paralele në enklavat serbe ekzistojnë që tetë vjet me radhë në Kosovë, por, sidomos, në këto enklava vepron shërbimi sekret serb me detyra të posaçme dhe aty mund të paraqiten policë të MUP-it serb edhe nëpër enklava në brendi të territorit të Kosovës, për të kryer detyra të ndryshme, për t’i dhënë ‘ndihmë’ popullatës serbe, për ta shpëtuar nga sulmet eventuale, siç thonë ata, të separatistëve shqiptarë dhe detyra tjera. Mirëpo, ndonjë rrezikshmëri e madhe, sa i përket aspektit të sigurisë në enklavat në brendi të territorit të Kosovës, unë nuk mund ta parashoh, sepse, edhe nëse vjen deri tek tentimi i destabilizimit në këto pjesë ku janë enklavat serbe, atëherë, më lehtë është që ato të bllokohen me forcat e KFOR-it, me forcat e SHPK-së dhe mos të lejohet eskalimi i tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina zyrtare pohon se shpallja e pavarësisë është çështje javësh. Sa mendoni se do të jetë e vështirë të ruhet stabiliteti në këtë periudhë?

RAMADAN QEHAJA
Jam i prirë të them se politikanët kanë një gjuhë tjetër të shprehjes, sa i përket çështjes së sigurisë. Ne, që merremi me analiza të ndryshme, posaçërisht me analiza të situatës së sigurisë, pak më ndryshe i shikojmë gjërat. Unë konsideroj se një përkeqësim i situatës së sigurisë në Kosovë, në ditët vijuese, gjithsesi do të ndodhë, edhe pse gati të gjithë zyrtarët deklarojnë se nuk do të ketë përkeqësim të situatës, do të mbahet situata e qetë. Kuptohet se situatën duhet patjetër ta mbajmë të qetë; për këtë ne kemi këtu mjaft forca respektabile, duke llogaritur para së gjithash në KFOR-in, në policinë ndërkombëtare, në SHPK-në, që është numerikisht mjaft e madhe. Mirëpo, sidoqoftë, në mënyra të ndryshme, do të tentohet që kjo situatë të mos mbahet e qetë, të ketë destabilizime të aty-këtushme, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës, por edhe këtu në brendi dhe për ta krijuar një jostabilitet dhe një gjendje kaotike që i konvenon vetëm forcave destruktive të regjimit aktual të Beogradit.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG