Ndërlidhjet

SEJDIU E THAÇI PARALAJMËROJNË SHPALLJE TË SHPEJTË TË PAVARËSISË SË KOSOVËS


Zijadin Gashi

Procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës po hyn në fazën finale, kanë paralajmëruar sot presidenti dhe kryeministri i Kosovës. Sipas tyre, shpallja e pavarësisë do të jetë një hap i koordinuar me perëndimin, kështu që para bërjes publike të datës, do të ketë nevojë edhe për disa konsultime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Në këtë frymë, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë diskutuar sot, duke potencuar koordinimin e hapave vendimtarë me perëndimin, para se të shpallet pavarësia e Kosovës. Presidenti Sejdiu tha se po vjen koha kur edhe qytetarët e Kosovës do të njoftohen me vendimin për shpalljen e pavarësisë, që, sipas tij, nuk është larg. “Mund t’ju them se çështjet janë në një dinamikë sa më të saktësuar dhe kujtojmë se për një kohë shumë të shkurtër, pas edhe disa takimeve të rëndësishme që do t’i zhvillojmë, në koordinim me miqtë e Kosovës, ne do të japim edhe një orientim themelor, në momentin kur edhe Kuvendi i Kosovës do ta marrë vendimin e vet”, tha Sejdiu. Zhvillimet në Serbi dhe zgjedhjet e atjeshme, sipas presidentit Sejdiu, nuk kanë efekte sa i përket Kosovës. Ai tha se Kosova e ka rrugën e vet, ndërkaq është çështje e popullit serb se kë e mbështet që ta drejtojë atë vend. “Unë mund të them se janë zgjedhje që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, është çështje e zgjedhjes së përfaqësuesve të Serbisë nga populli serb. Është çështje e zgjedhjes së tyre, kë do të preferojnë. Për ne është shumë me rëndësi që të lëvizim fuqishëm në këtë dinamikë të qartë që kemi, në këtë orar, agjendë e objektiv që e kemi para vetës dhe Kosova do ta arrijë pavarësinë e vet me mbështetje e njohje ndërkombëtare”, tha Sejdiu. Këtë javë, kryeministri Hashim Thaçi do të udhëtojë për në Bruksel, ku ai ka paralajmëruar se do të zhvillojë takime të rëndësishme me zyrtarët e Bashkimit Evropian. Thaçi tha se kjo vizitë pritet t'i qartësojë shumë afatet kohore të deklarimit të pavarësisë në Kuvendin e Kosovës dhe afatin e fillimit të misionit të BE-së në Kosovë. “Në bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Uashingtonin, Brukselin, do ta përmbyllim çështjen e statusit në mënyrë shumë të suksesshme, me politikë unifikuese kosovare e gjithëqytetare, e në të njëjtën kohë edhe në koordinim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi Thaçi. Ndërkohë, analisti Ramush Tahiri vlerëson se përcaktimi i Kosovës për pavarësi të koordinuar ka të bëjë edhe me disa garanci që Kosova duhet t’i japë para bashkësisë ndërkombëtare, si shtet i ri që po ndërtohet në Evropë. “Kosova është përcaktuar për pavarësi të koordinuar dhe parakusht kryesor janë garancitë që shteti do të funksionojë dhe garancitë që mund të kontrollohet funksionimi i shtetit dhe që shpallja e pavarësisë së Kosovës do të ishte e pranueshme për shumicën dërrmuese të popullit të Kosovës, por edhe për shtetet përreth. Gjithashtu, konsiderohen si parakusht edhe garancitë për pakon e Ahtisaarit”, vlerëson Tahiri. Sa u përket afateve kohore, Tahiri konsideron se më nuk ka pengesa sa i përket shpalljes së pavarësisë. Ai thotë po ashtu, se afatet kohore që ndërlidhen me Serbinë, janë parashtruar më shumë me kërkesë të disa vendeve anëtare të BE-së, në përpjekje që të parandalojnë ardhjen e radikalëve në krye të shtetit serb. Zgjidhja e statusit të Kosovës besohet se do të mbështetet në bazat e pakos së Ahtisaarit për pavarësinë e mbikëqyrur. Në këtë aspekt, pritet që Bashkimi Evropian të dërgojë një mision prej rreth 1800 vetash, të cilët do të mbikëqyrin sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë. Ndërkaq, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare që do të vendoset në Kosovë, do të vlerësojë të arriturat e përgjithshme, me një theks të veçantë dhe trajtimin e pakicave, përkatësisht pakicës serbe. Parashihet po ashtu që Kosova t’i kalojë edhe katër muaj të tranzicionit, gjatë së cilës UNMIK-u do të largohej nga Kosova, ndërkaq autorizimet e kësaj administrate do t’u barteshin institucioneve vendore dhe pranisë së ardhshme civile ndërkombëtare. Sa i përket pranisë ushtarake, strukturat më të larta të NATO-s e kanë përsëritur në disa raste se KFOR-i do ta ruajë përbërjen dhe rolin që aktualisht e ka në Kosovë, në garantimin e paqes dhe sigurisë.


XS
SM
MD
LG