Ndërlidhjet

TOPI: SHQIPËRIA MBËSHTET FUQISHËM PAVARËSINË E KOSOVËS


Zijadin Gashi

Shqipëria e mbështet Kosovën si shtet të pavarur e sovran, që do të ndërtohet mbi bazat e një demokracie evropiane dhe të një shoqërie shumë etnike, ka thënë sot në Prishtinë, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Vizitën e tij treditore në Kosovë, Topi e ka filluar me realizimin e takimeve me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, presidentin Fatmir Sejdiu, si dhe ka mbajtur një fjalim para Kuvendit të Kosovës. Presidenti Topi i ka shprehur përkrahje Kuvendit dhe Kosovës në përgjithësi, në synimet për ta deklaruar së shpejti pavarësinë e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me vendet perëndimore. Presidenti shqiptar tha se shtyrjet e mëtutjeshme për statusin e Kosovës janë të papranueshme dhe kërkoi ndërmarrjen e hapave vendimtarë drejt shpalljes së pavarësisë. “Çdo zgjatje është e panevojshme dhe nuk i shërben aspak të ardhmes së rajonit tonë. Përkundrazi, shtyrje të mëtejshme rrezikojnë paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në tërë rajonin, duke vënë në pikëpyetje arritjet e këtyre viteve, si dhe vetë procesin e integrimit euroatlantik. Shqipëria është e bindur se vetëm një Kosovë e pavarur, demokratike, brenda kufijve të tanishëm dhe e orientuar nga Brukseli, është parakusht për t’u shkëputur përfundimisht nga e kaluara e hidhur e rajonit”, tha presidenti Topi. “Të gjithë jemi të vetëdijshëm se më në fund, pas shumë përpjekjesh, vuajtjesh, lotësh e gjakut të derdhur, procesi i statusit të Kosovës ka mbërritur në stacionin e fundit”, theksoi Topi. Kosova ndodhet në çastin më të ndjeshëm të historisë së saj dhe koha e marrjes së vendimit historik ka ardhur, tha presidenti shqiptar. Përmbushja e misionit dhe realizimi i aspiratave të popullit të Kosovës arrihet atëherë kur do të jetësohet shteti i pavarur i Kosovës, tha Topi. Presidenti shqiptar i ka dhënë mbështetje të plotë Kosovës që të pranojë dhe mirëpresë praninë e ardhshme civile dhe vazhdimin e pranisë ushtarake të NATO-s edhe pas statusit, duke konsideruar se përparimet në Kosovë janë rezultat i punës së përbashkët me ndërkombëtarët. “Gjej rastin të shpreh mirënjohjen për rolin dhe ndihmën që faktori ndërkombëtar, në veçanti UNMIK-u dhe NATO-ja, kanë pasur në rezultatet dhe progresin tuaj. Pa mbështetjen, profesionalizmin dhe dedikimin e tyre, vështirë se do korreshin rezultate kaq të dukshme dhe shpresëdhënëse për të ardhmen e Kosovës. Është pikërisht kjo trashëgimi pozitive që do t’ia lehtësojë punën misionit të ardhshëm të Bashkimit Evropian, që pritet të vendoset në Kosovë së shpejti. Ne vlerësojmë rëndësinë e pranisë ndërkombëtare edhe pas zgjidhje së statusit të Kosovës, si një shtyllë që do garantojë sigurinë dhe zhvillimin e shoqërisë evropiane të Kosovës”, theksoi Topi. Evropa e Bashkuar nuk mund të jetë e plotë, përderisa pjesë e saj të mos jetë edhe rajoni i Ballkanit, tha presidenti shqiptar. Me zgjidhjen e statusit të Kosovës, si çështja e fundit e pazgjidhur në rajon, Kosova do t’i afrohet Bashkimit Evropian, tha presidenti Topi. Kurse, rruga e Prishtinës për në Evropë, shtoi ai, kalon përmes Tiranës. “Nëpërmjet porteve të Shqipërisë, Kosova do t’i afrohet Bashkimit Evropian. Përfundimi i aksit rrugor Durrës-Morinë do t’u shërbejë pikërisht interesave të integrimit rajonal dhe rritjes së shkëmbimeve njerëzore dhe tregtare mes vendeve tona”, tha Bamir Topi. Në anën tjetër, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e kanë vlerësuar lart rolin e Shqipërisë në procesin e zgjidhjes së statusit. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se e ka siguruar presidentin shqiptar, se shteti i Kosovës do të jetë i të gjithëve dhe do të ndërtohet mbi bazat e një demokracie moderne evropiane. Ditëve në vijim, tha Sejdiu, Kuvendi do të deklarojë pavarësinë e Kosovës. “Mendojmë se shumë shpejt do të jetë edhe momenti i marrjes së vendimit në Parlament. Unë mendoj se është çështje ditësh dhe natyrisht edhe çështje orësh, që do të shkojë shumë shpejt. Me rëndësi është që këto veprime t’i bëjmë të koordinuara. Kosovës i nevojitet mbështetja edhe në ecjen e saj të mëtejshme, edhe në njohjen e saj ndërkombëtare shumë shpejt”, tha presidenti Sejdiu. Presidenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë thanë se dy vendet do të udhëtojnë si dy shtete në Evropën e bashkuar. Ata e konsideruan mundësinë e ndarjes së Kosovës si një çështje hipotezash, duke besuar se NATO-ja dhe bashkësia ndërkombëtare janë të përcaktuara që ta ruajnë tërësinë territoriale të Kosovës. Gjatë kësaj vizite, presidentit Topi i është ndarë edhe çmimi ‘Doctor Honoris Causa’ nga Universiteti i Prishtinës. Nesër, presidenti shqiptar pritet të shpallet qytetar nderi i Prishtinës, ndërkaq në agjendën e tij ai parasheh të takojë edhe kryeministrin Hashim Thaçi, si dhe ndër të tjera të vizitojë kompleksin memorial në Prekaz, te varri i komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Me vizita nëpër vise të ndryshme të Kosovës, presidenti Topi e përmbyll qëndrimin e tij në Kosovë të dielën.

XS
SM
MD
LG