Ndërlidhjet

SHQIPTARËT FTOJNË SERBËT TË ECIN KRAHAS INSTITUCIONEVE DREJT INTEGRIMEVE EUROATLANTIKE


Albana Isufi

Liderët shqiptarë të Kosovës u kanë bërë thirrje sot serbëve të Kosovës që të ecin krahas institucioneve në rrugën drejt integrimeve euroatlantike. Presidenti Fatmir Sejdiu u ka sugjeruar serbëve që të mos e shohin veten jashtë proceseve politike, por të japin vetë kontributin e tyre. Ai ka siguruar se Kosova do të jetë një shtet i të gjithë qytetarëve. “Kosova do të jetë shtet i perspektivës për të gjithë, i shansit për zhvillim dhe i shprehjes së identitetit në mënyrën më të mirë të mundshme. Kosova do të hyjë me obligimet e veta, qoftë si shumicë, qoftë si tërësi, bashkë me pakicat, me garancitë për zbatimin e standardeve më të larta ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me këtë pjesë të veçuar të jetës dhe që është nga pjesët më të pandashme dhe më të fuqishme të jetës së suksesshme të një vendi”, tha presidenti Sejdiu. Në anën tjetër, në debatin e organizuar nga Projekti për Relacione Etnike, kryeministri Hashim Thaçi u ka thënë serbëve të Kosovës që të mos kenë frikë nga zgjidhja e statusit, duke siguruar se të drejtat e avancuara për këtë komunitet, që parashihen në pakon e Ahtisaarit, do të zbatohen. Por, kryeministri Thaçi ka thënë se Qeveria nuk mund t’u ndihmojë serbëve, pa e ndihmuar ata vetveten. “Askush në Kosovë apo jashtë saj nuk duhet të ketë frikë nga zgjidhja e statusit politik të Kosovës. Përkundrazi, vendimi për status do të reflektojë paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për rajonin. Të gjitha sfidat, me të cilat do të ballafaqohemi, të cilat janë të mundshme, që mund të dalin edhe në ditët e ardhshme, edhe në javët e ardhshme, edhe në muajt e ardhshëm, unë jam optimist se do t’i tejkalojmë në mënyrë të suksesshme të gjithë së bashku”, ka thënë kryeministri Thaçi. Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë thënë se tashmë është koha që institucionet të kalojnë nga fjalët tek veprat. Politikani serb, Oliver Ivanoviq, ka thënë se prania e dy ministrave serbë në Qeveri nuk e përmirëson situatën, nëse nuk do të ketë dialog të mirëfilltë me serbët në terren, si dhe nëse ata nuk lejohen që të veprojnë me ministritë e tyre. “Ne në Qeveri kemi dy ministra serbë dhe kjo i jep karakter multietnik Qeverisë. Por, ata nuk do ta kenë të lehtë, pasi që ka qenë vështirë të dilet në zgjedhje, por kanë pasur trimëri dhe vizion e program dhe kanë dalë në zgjedhje. Por, mos lejoni që dalja e tyre të jetë një humbje, mos lejoni që ata të jenë dekor në Qeveri. Duhet t’u ndihmoni që të jenë efikas, pasi kredibiliteti i tyre në mesin e popullit serb vlerësohet vetëm në bazë të asaj se sa janë të gatshëm që të punojnë dhe mos kini iluzione se ata serbë mund të flasin për pavarësinë, në asnjë rast. Të gjithë serbët mendojnë njësoj, por jeta shkon tutje dhe vendimi për statusin ka dalë nga duart tona dhe për këtë tash vendosin qendrat e mëdha. Dhe, u pajtuam apo s’u pajtuam ne, duhet ta pranojmë atë vendim. Sa u përket serbëve, mos i shtyni, se ata nuk mund të flasin për atë që ju dëshironi të flisni, por jepuni shansin që ministritë e tyre të jenë funksionale dhe t’u ndihmojnë njerëzve në terren”, tha Ivanoviq, i cili ka shtuar se pret që Qeveria Thaçi të jetë një qeveri e fortë, që mund t’i zbatojë planet e saj në praktikë. Në anën tjetër, drejtuesja e projektit për relacione etnike, Livia Plaks, është shprehur optimiste se gjërat drejt përmirësimit të raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve po shkojnë në drejtimin e duhur. “Tani është kohë thelbësore në Kosovë. Është koha kur duhet të zgjidhet statusi dhe ende ka pasiguri dhe shumë sfida. Një nga sfidat është siguria në raport me statusin. Në një të ardhme të afërt, të gjitha palët duhet të ndërmarrin aso veprimesh që minojnë konfliktet e mundshme. Duke dëgjuar presidentin dhe kryeministrin, jam e inspiruar se me hapa të vogël dhe konkretë mund të ndërtojmë një ardhmëri paqësore për secilin këtu”, u shpreh Livia Plaks. Ndryshe, kryeministri i Kosovës ka njoftuar sot se së shpejti do të hapë zyrën për komunitetet pakicë, në të cilën, në baza ditore, do të raportohen shqetësimet e komuniteteve pakicë, veçanërisht të atij serb. Thaçi po ashtu ka premtuar se gjatë mandatit të tij do të ndërmarrë veprime të përbashkëta me komunitetin serb, por ka thënë se nuk do t’i lejojë aktet e njëanshme që çojnë kah ndarjet etnike.
XS
SM
MD
LG