Ndërlidhjet

PETRICH: PAVARËSIA E KOSOVËS – FAKT I KRYER


Wolfgang Petrich, ambasador i Austrisë në KB

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador Petrich, pavarësia e Kosovës është cështje ditësh apo javësh...

WOLFGANG PETRICH
Realisht nuk ka rëndësi. Themelore është që të ndodhë në mënyrë të bashkërenduar. Kjo do të thotë që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara qartësisht të mbështesin të njëjtin qëndrim, që tashmë sipas të gjitha gjasave është deklarimi i pavarësisë. Sërish dua të theksoj që kjo nuk duhet të ndodhë në mënyrën dhe në kohën e gabuar.
Hapi tjetër do varet dhe nga rezultati i zgjedhjeve në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se rezultati i zgjedhjeve në Serbi mund të shkatojë shtyrje në shpalljen e pavarësisë?

WOLFGANG PETRICH
Po flasim tashmë për dicka që ka marrë fund dhe kjo është se Kosova do jetë e pavarur ose më mirë të themi do ta shpallë njëanshëm pavarësinë. Them kështu pasi nuk do njihet nga Kombet e Bashkuara. Kosova e pavarur do pranohet nga një numër vendesh evropiane dhe Shtetet e Bashkuara. Në këtë kuptim është e rëndësishme të mendojmë se cfarë do ndodhë në Serbi. Ne do mund t'i shohim gjërat më qartë pas 3 shkurtit. Zgjedhjet në Serbi nuk do ndikojnë mbi atë që tashmë është fakt, pra shpalljen e pavarësisë së Kosovës, megjithatë nuk duhet ta harrojmë këtë element.

RADIO EVROPA E LIRË
A do jetë Ballkani pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës një vend ku do zotërojë stabiliteti apo do kemi sërish trazira, sic thonë disa analistë?

WOLFGANG PETRICH
Hapi që kanë vendosur të ndërmarrin udhëheqësit e Kosovës, padyshim do ndikojë përkohësisht në situatën e sigurisë. KFOR-i dhe forcat e tjera janë të përgatitur më mirë se në mars të vitit 2004. Personalisht nuk besoj se siguria do vihet seriozisht në pikëpyetje.
Ndryshe paraqitet situata politike. Shpallja e pavarësisë do bëjë që marrëdhëniet BE—Rusi dhe BE-Serbi të kalojnë kohë të vështira.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga njohësit e mirë të Rusisë, Ambasador Abramovitz së fundi shkruan se Perëndimi vazhdimisht ka keqlexuar synimet e Rusisë ndaj Kosovës. A mund të themi se këtë rradhë Perëndimi dhe vecanërisht BE-ja është e përgatitur të përballet me Rusinë pas pavarësisë së Kosovës?

WOLFGANG PETRICH
Nuk e dimë me siguri se cfarë do bëjë Rusia. Përshtypja ime është se Rusia tani është më e interesuar të jetë e përfshirë ekonomikisht në Ballkan. Kujtoj këtu marrëveshjen e fundit me Bullgarinë, që do ketë pasoja në BE, si dhe marrëveshjen mes Moskës dhe Serbisë. Është e qartë se Rusia është më e interesuar të luajë kartën ekonomike në Ballkan se kartën e vëllazërisë sllavo-ortodokse.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa shumë e shqetësojnë projektet energjitike të Rusisë në Ballkan Bashkimin Evropian, kur dihet se ato kanë vënë në pikëpyetje projektet evropiane, si Nabuco?

WOLFGANG PETRICH
Duhet ta pranoj se Bashkimi Evropian u kap në befasi me nënshkrimet e fundit të Rusisë në Ballkan. Rusia tashmë po përpiqet të luajë me rregullat e lojës së Perëndimit dhe e ka kuptuar se karta ekonomike sjell më shumë përfitime se sa justifikimet tradicionale të miqësisë. Rusia nuk ka ngurruar të shfrytëzojë edhe situatën e ndjeshme politike në Ballkan.
Por në fund të fundit BE-ja do të jetë fituese pasi në afat të mesëm Serbia duhet jetë pjesë e Unionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do jetë qasja e Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës, vecanërisht kur kemi parasysh veriun? A ka rrezik për coptimin e Kosovës?

WOLFGANG PETRICH
Kosova është de facto e ndarë. Pjesa veriore e Kosovës është nën kontrollin e Beogradit dhe jo të Prishtinës. Mendoj se nuk duhet të përqëndrohemi shumë tek ky problem në këtë fazë. E rëndësishme është që zyrtarisht të flasim për Kosovën si një të tërë dhe të mos shtyjmë shumë që ta kthejmë veriun nën kontrollin e Prishtinës apo për ndonjë ujdi të mundshme. Kjo do kishte ndikim shumë negativ në vende të tjera si Maqedonia. Duhet të pranojmë faktet në terren dhe ta lëvizim gjithë rajonin më shpejt drejt Evropës.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Kosova është de facto e ndarë dhe nuk duhet ushtruar shumë presion që veriu të vihet nën kontrollin e Prishtinës. A nuk lë kjo hapësirë për destabilizim të përhershëm?

WOLFGANG PETRICH
Nuk duhet të dorëzohemi në qëndrimin tonë. Të vazhdojmë të themi se kjo është pjesë e Kosovës dhe Perëndimi nuk do të njohë asnjë ndarje tjetër brenda Kosovës. Njëherësh vënja e kësaj pjese nën kontrollin e Prishtinës do të marrë kohë shumë të gjatë. Këtu nuk duhet të harrojmë dhe qëndrimin e Beogradit që është kundër coptimit, cfarë do ta ndihmojë zgjidhjen e problemit, por gjithmonë në afat të gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një shkrim së fundi tek WSJ, vendi juaj Austria përmendet si një nga aleatët e Serbisë brenda BE-së. Cili është raporti Austri – Serbi?

WOLFGANG PETRICH
Nëse shohim historinë e 100 viteve të fundit marrëdhëniet mes vendeve tona nuk kanë qenë të lehta. Në të njëjtën kohë politika e jashtme austriake e njeh rolin e rëndësishëm të Serbisë në rajon. Është një nga vendet më të mëdha në rajon dhe ka pasur ndikim të fuqishëm në të gjitha konfliktet apo paqebërjen në këtë pjesë të botës.
Nga ana tjetër Austria e kupton se sa e vështirë është për cdo shtet të japë territore. Ne nuk mund t'i kërkojmë Beogradit ta pranojë një gjë të tillë. Por duke e marrë Serbinë seriozisht dhe duke vënë përgjegjësitë e sigurisë së rajonit edhe mbi Serbinë ndihmon për një marrëdhënie të hapur e të ndershme politike e ekonomike mes Vjenës dhe Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pavarësia e Kosovës për shkak të vetos ruse nuk duket se do pranohet së shpejti nga Kombet e Bashkuara. A e dëmton një gjë e tillë të ardhmen e Kosovës dhe kur mund ta kemi një njohje të Kosovës nga organizata botërore?

WOLFGANG PETRICH
Është e vështirë të thuhet koha. Mosnjohja nga Kombet e Bashkuara do ta hendikeponte cdo shtet. Kjo merr një rëndësi të vecantë në rastin e Kosovës, pasi rrezikon ta kthejë Kosovën në një shtet të dobët.
Ky është një element që të gjithë, Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Rusia duhet ta marrin seriozisht. Ne nuk duam të kemi një lloj konflikti të ngrirë apo skenar të variantit të Tajvanit në Evropë, cfarë do ishte me pasoja për sigurinë e të gjithëve. Nga kjo pikëpamje përfshirja ekonomike e Rusisë në Ballkan mund të cojë në përgjegjshmëri më të madhe politike të Moskës në rajon.
Në afat të gjatë mund të shohim një zgjidhje të këtij problemi. Në të shkuarën kemi zgjidhur probleme edhe më të vështira në Evropë. Duhet të punojmë që kjo mundësi të kthehet në realitet.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG