Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS PËRBALLË AKOMODIMIT TË SERBËVE PAS PAVARËSISË


Albana Isufi

Zyrtarët e Qeverisë i bëjnë thirrje komunitetit serb që të mos frikësohet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, përderisa i premtojnë se Qeveria do t’u qëndrojë pranë në të gjitha aspektet. Serbët e Kosovës kanë shprehur shqetësimin e tyre në rast të pavarësisë së Kosovës, përderisa ka zëra që thonë se disa nga ta do ta lëshonin Kosovën. Megjithatë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mendon se nuk ka vend për një alarmim të tillë. “Nuk mendojmë se do të ketë ndonjë lëvizje të veçantë as për serbët, e as për të tjerët, në Kosovë. Kosova është e përgatitur në çdo aspekt, edhe Qeveria e Kosovës; mendoj se ne do të gjendemi afër edhe në kuptimin politik, edhe njerëzor, edhe të sigurisë, por nuk ka nevojë që të bëhet ndonjë panik i veçantë, pasi që Kosova do të jetë në ditën e shpalljes dhe pastaj një shtet që do të funksionojë në tërësi dhe do të garantojë perspektivë për të gjithë qytetarët e saj”, thotë Kuçi. Analistët politikë konsiderojnë se jo vetëm Qeveria, por edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të kenë plane të veçanta për mbajtjen nën kontroll të pjesëve të banuara me serbë. Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se kjo në masë të madhe varet nga reagimi i serbëve, sidomos i Beogradit zyrtar. Ai mendon se faza kalimtare do të duhej të ishte edhe fazë e akomodimit. “Brenda këtij afati, serbët duhet të akomodohen këtu. Vërtet ata duhet të binden. Kush dëshiron të rrijë në Kosovë, do të rrijë këtu. Për të tjerët do të bëhen ftesa që të rrinë, garancitë i kanë, Kuvendi i Kosovës edhe më herët është zotuar se do ta respektojë planin e Ahtisaarit; pavarësia sigurisht se do të shpallet shumë shpejt. Edhe ata duhet të jenë të përgatitur që të akomodohen ose ka disa që thonë se nuk mund të jetojnë në një Kosovë të pavarur, atëherë ata askush nuk mund t’i ndalë”, tha Maliqi. Në anën tjetër, Qeveria nuk shprehet të ketë ndonjë plan specifik se si do të veprojë për të ruajtur sigurinë në pjesët e banuara me shumicë serbe. Zëvendësshefi i Qeverisë, Hajredin Kuçi, mbështetet te prania ndërkombëtare. “Ne kemi garanci të plota nga faktori ndërkombëtar se do t’i kryejnë të gjitha obligimet për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës. Në kuptimin e kësaj, nuk mendoj se ka nevojë për shqetësim apo panik. Në çdo rast, Kosova ka plan të përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare”, thotë Kuçi. Por, analisti Shkëlzen Maliqi mendon se serbët do të përdorin idenë e shpërnguljes nga Kosova si një masë kërcënimi për të treguar se janë duke u viktimizuar. Edhe pse, sipas tij, nëse do të ketë serbë që duan ta lëshojnë Kosovën, nuk e bëjnë këtë për çështje patriotike, por për shkak të vetë zgjedhjes së tyre se ku duan të jetojnë. “Shumë prej tyre e kanë njëfarë statusi dual; ata kanë ose pronë ose shtëpi edhe në Serbi, edhe këtu dhe janë me një këmbë këtu, e me një këmbë atje dhe duhet të vendosin. Domethënë, nuk do të ketë më dualizëm të tillë. Ata duhet të përcaktohen a duan të jetojnë në Kosovë apo nuk u pëlqen Kosova e pavarur dhe shkojnë të jetojnë atje”, shprehet Maliqi. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se siguria e dy viteve të fundit, ku nuk është shënuar ndonjë incident me motive ndëretnike, duhet të jetë një lloj garancie, se serbëve nuk do t’u ndodhë asgjë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Nëse merren parasysh dy vitet e fundit, nuk kemi pasur asnjë incident ndëretnik në Kosovë; nëse merret gatishmëria e Qeverisë së Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare, nuk ka nevojë për asnjë shqetësim. Qeveria e Kosovës, që nga kryeministri, do të jetë afër tyre dhe në bashkëpunim me ta, në dobi të tyre dhe të të gjithë qytetarëve”, theksoi Kuçi. Megjithatë, Maliqi thotë se pavarësisht veprimeve të ndryshme, që mund të vijnë nga ana e komunitetit serb, procesi i pavarësimit nuk mund të ndalet. “Çështja e Kosovës, tashmë ka ardhur momenti që të zgjidhet dhe nuk varet më nga kërcënimet e këtij lloji. Duhet të ecet përpara dhe më mirë është edhe për Serbinë, edhe për Kosovën dhe për rajonin, pasi që nuk mund të gjithë të jenë të kënaqur qind për qind”, tha Maliqi. Shumica e serbëve të Kosovës ende janë të varur nga strukturat paralele serbe që funksionojnë në veri dhe në enklavat serbe. Në zgjedhjet e djeshme presidenciale serbe, kosovarët serbë i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për votime, përderisa një gjë të tillë nuk e kanë bërë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 nëntorit.

XS
SM
MD
LG