Ndërlidhjet

2006 VITI I ZBATIMIT TË LIGJIT PËR MBROJTJEN E QYTETARËVE


Në Kosovë ende ekziston frika e qytetarëve për t’u paraqitur në cilësinë e dëshmitarëve për të zbardhur rastet e krimeve të rënda penale. Për pasojë, sipas ekspertëve të drejtësisë shumë nga vrasjet që kanë ndodhur në 6 vitet e fundit nuk janë zbuluar.
Programi i mbrojtjes së identitetit të dëshmitarit ende nuk ka filluar të zbatohet në tërësi nëpër gjykatat kosovare, për shkak se duhen mjete të konsiderueshme materiale për të blerë pajisjet e nevojshme. Koordinatorja e grupit punues, Sundimi i Ligjit Melihate Termkolli, beson se vështirësitë në këtë drejtim do të zbuten pasi që të fillojë së realizuari një donacion i qeverisë britanike.
“Qeveria britanike ka marrë përsipër sigurimin e paisjeve për mbrojtjen e anonimitetit të dëshmitarëve dhe besoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt."
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Administratës Gjyqësore, Daut Kosumi thotë se në fillim të këtij muaji do shpallet tender ndërkombëtar për sigurimin e pajisjeve për të zbatuar programin për dëshmitarët e mbrojtur.
“Në fillim të janarit 2006 do të publikohet tenderi për këtë çështje."
Daut Kosumi mendon se gjysma e këtij viti do të sjellë edhe rezultatet e para.
“Kjo çështje është risi jo vetëm për Kosovën, por dhe për Ballkanin. Ne kemi bërë përpjekje gjatë vitit që lamë pas që ta rrumbullaksojmë këtë aktivitet. Meqënëse janë premtuar donacione, për të cilat kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit më 2 dhjetor, atëherë në mars do shihen rezultatet e para dhe deri në qershor do plotësohet gjithë projekti", thotë Kosumi.
Pajisjet për mbrojtjen e dëshmitarëve pritet që të zbatohen në 5 Gjykata të Qarkut në Kosovë. Këto pajisje janë përshkruar si mënyra për të mbrojtur dëshmitarin, për të evituar frikësimin e dëshmitarëve në dëshmimin për krimet serioze dhe për t’i mundësuar viktimës që të dëshmojë në lokacione të ndryshme prej të dyshuarit.
Mungesa e sigurisë për dëshmitarët ka qenë çështja, që është kritikuar më së shumti në një raport të fundit të OSBE-së për sistemin e drejtesisë në Kosovë, i cili është fokusuar më shumë në rastet, që kanë të bëjnë me trazirat e marsit të vitit 2004.
Raporti identifikon problemet në mbledhjen e dëshmive, frikësimin e dëshmitarëve, por edhe mungesën e vullnetit të dëshmitarëve që të dalin e të flasin për atë që kanë parë gjatë trazirave. Në raport është kërkuar dënimi për avokatët, mediat apo zyrtarët e tjerë publik në raste se ata i zbulojnë emrat e dëshmitarëve të mbrojtur.

Albana Isufi
XS
SM
MD
LG