Ndërlidhjet

RUGOVA : SHTËPIA NUK MBAHET PA MIQ


PRESIDENTI I KOSOVËS DHE POLITIKA E TIJ PAQËSORE

"Unë insistoj për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës". Kjo deklaratë e presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova, është bërë më 23 dhjetor të vitit të kaluar, që shënon edhe paraqitjen e tij të fundit në publik. Përmbajtja e kësaj deklarate në fakt është shndërruar në shenjë identifikimi për politikën, të cilën ai e udhëhoqi që nga viti 1989. Atëbotë ai u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike shqiptare në Kosovë, e cila identifikonte lëvizjen e rezistencës së shqiptarëve kundër regjimit të atëhershëm serb. Në të gjitha prononcimet e tij, presidenti i Kosovës vazhdimisht ka bërë thirrje për njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës. Në intervistën që i ka dhënë Radios Evropa e Lirë më 24 dhjetor të vitit 2004, vetëm pak ditë pas fitores së dytë në zgjedhjet e përgjithshme, presidenti pat shpjeguar se si e sheh Kosovën në të ardhmen: "Kosovën po ju them që në fillim, dëshiroj sot apo nesër ta shoh si vend të pavarur, të njihet pavarësia e Kosovës. Pra, një Kosovë e integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
Presidenti gjithashtu njihet për mesazhet drejtuar opinionit kosovar për punë dhe tolerancë: "Të gjithë të angazhohemi edhe më shumë – edhe deri më tash jemi angazhuar – për progresin e Kosovës, për të mirat e Kosovës. Në planin shpirtëror dhe njerëzor të kemi një tolerancë dhe mirëkuptim edhe më të madh ndërmjet veti, një respekt për njëri tjetrin dhe një vetërespekt". Ishte ky mesazhi që zoti Rugova e pat dhënë në intervistën me Radion Evropa e Lirë.
Lëvizja paqësore e presidentit të Kosovës ka bërë që ai në botë të njihet si udhëheqës i një lëvizjeje gandiste. Ky angazhim i tij është shpërblyer me shumë çmime ndërkombëtare që u jipen personaliteteve botërore për punën e tyre në shërbim të paqes. Në mesin e çmimeve, dr.Ibrahim Rugova ka fituar edhe Çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian më 16 dhjetor të vitit 1998. Në fjalimin që pat mbajtur me këtë rast në praninë e deputetëve të Parlamentit Evropian në Strazburg, presidenti i Kosovës pat theksuar se zgjidhja më e mirë për Kosovën është një Kosovë e pavarur me të gjitha garancat për serbët e Kosovës dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimtare. Duke iu drejtuar presidentit të atëhershëm të Parlamentit Evropian, Hose Marie Robles Delgado, fjalimin e tij dr.Rugova e pat përmbyllur me një proverb shqiptar: "Shtëpia nuk mund të mbahet pa miq, por Kosova sot ka shumë miq në këtë shtëpi", pat thënë presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Arbana VIDISHIQI

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG