Ndërlidhjet

PRISHTINË


Seanca komemorative në Kuvendin e Kosovës, në nderim të presidentit të ndjerë Rugova, ka filluar me një minutë heshtje dhe u zhvillua në prani të përfaqësuesve të familjes Rugova, zyrtarëve më të lartë vendorë, atyre ndërkombëtar si dhe mysafirëve të shumtë.
“Filozofia e urtë dhe origjinale e presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, krijoi një lëvizje, krijoi një organizim që ishte shteti ynë demokratik në një shtet të egër e diktatorial, që krijoi të gjitha strukturat e mvetësishme që funksiononin në të gjitha fushat e jetës”, tha kryeparlamentari Nexhat Daci.
“Kosova është e sigurt në të ardhmen e saj sepse e ka veprën e presidentit dr.Ibrahim Rugova. Le të pushoj i qetë në parajsë presidenti ynë. Zoti e bekoftë familjen Rugova që Kosovës ia fali lirinë e saj”, shtoi Daci.
Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen tha se “Ibrahim Rugova ishte një kreator i politikës së Kosovës për një kohë të gjatë, sa që tash për të gjithë ne është vështirë ta paramendojmë Kosovën dhe politikën kosovare pa të”.
Ndërsa kryeministri Bajram Kosumi u shpreh: "Ne i kemi borxh njeriut të paqes e pavarësisë, për ta bërë shtetin e Kosovës, amanetin e tij më të shenjtë e më të madh. Presidenti Rugova ishte bartës i proçeseve në Kosovë, ndërtues i institucioneve dhe njeri i durimit. Është cilësuar si njeri të pavarësisë dhe, me të drejtë, emri i Tij është i lidhur pashkëputshëm me pavarësinë e Kosovës”.
Pas seancës komemorative, shefi i UNMIK-ut Jessen-Petersen zhvilloi një takim të shkurtër me kryeparlamentarin Nexhat Daci. Pas takimit, Petersen tha se të gjithë e dinë ëndrrën e Ibrahim Rugovës dhe nëse politikanët kosovarë do të jenë unik, atëherë ajo ëndërr shumë shpejt do të realizohet.
XS
SM
MD
LG