Ndërlidhjet

LDK: RUGOVA DO TË MBETET GJITHMONË UDHËHEQËS SHPIRTËROR DHE HISTORIK I KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Me vdekjen e presidentit Rugova, Kosova humbi udhëheqësin e saj të madh, simbolin e unitetit, njeriun që me veprimtarinë e tij ndërroi rrjedhat e historisë, arkitektin e pavarësisë së Kosovës”, është thënë sot në një mbledhje përkujtimore të mbajtur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, themelues i të cilës ishte pikërisht Ibrahim Rugova. Para zyrtarëve më të lartë të LDK-së dhe personaliteteve të ftuara në këtë mbledhje, nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha tha se Ibrahim Rugova do të mbetet gjithnjë president i vendit, udhëheqës i saj shpirtëror dhe historik.
“Në këtë janar të kobshëm, Kosova humbi njeriun, i cili me veprimet e tij i ndërroi rrjedhat e historisë të kësaj pjesë të botës. Në këtë janar të zisë kombëtare Kosova humbi arkitektin dhe strategun e pavarësisë së saj. Laureatin e çmimit për paqe, fituesin e çmimit “Doktor nderi” të Universitetit të Parisit e Tiranës, fituesin e çmimit Saharov për paqe të Parlamentit Evropian, të titullit “Senator nderi” të Parlamentit Evropian, të mirënjohjes “mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Berisha.
Vepra dhe jeta e Ibrahim Rugovës, nuk ndërlidhet vetëm me LDK-në, por me tërë periudhën sa ai ishte në krye të proceseve politike, tha Kolë Berisha, duke vlerësuar se politika e tij e urtë dhe e mençur bëri që bota t'i kuptojë drejtë kërkesat legjitime të Kosovës për liri e pavarësi, betejë kjo, që sipas Berishës, ishte filluar 500 vjet më herët:
“Kosova humbi udhëheqësin e saj të parë të madh shqiptar, i cili me urtinë e fjalës dhe me madhështinë e veprës së tij jetësore, diti t'i rreshtojë shqiptarët në përgjithësi e këta të Kosovës në veçanti, aty ku vërtetë me shekuj e kishin vendin dhe e miqësoi atë me shumë popuj e kombe të vendeve përparimtare të botës, sidomos të asaj perëndimore”, tha Berisha.
Vdekja e Rugovës, na la të gjithëve të pikëlluar, familjen, të afërmit e miqtë që kishte krijuar vendorë e ndërkombëtarë, por vepra e tij do të jetojë dhe mbetet dhe nuk do të vdesë kurrë, tha Kolë Berisha:
“Ai do të mbetet gjithmonë president i Kosovës, udhëheqës i saj shpirtëror dhe historik. Ai punoi tërë jetën që edhe kur të shkojë në përjetësi të mos na lërë vetëm, dhe ne vërtetë nuk jemi vetëm, na la një numër të madh, jashtëzakonisht të madh miqsh, të faleminderit për këtë, për të gjitha ato që bëre për Kosovën dhe popullin e saj që na ktheve në identitetin tonë evropian. Lavdi jetës dhe veprës së presidentit Rugova”, ishin fjalët e Kolë Berishës.
Lidhja Demokratike e Kosovës është subjekti më i madh politik në Kosovë, e cila nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, pas luftës i fitoi si zgjedhjet lokale ashtu edhe ato parlamentare. Kurse që nga themelimi i saj, 16 vjet më parë, Ibrahim Rugova, ishte krijues i politikës së kësaj partie. Pas mandatit të dytë në postin e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova pati dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së.





XS
SM
MD
LG