Ndërlidhjet

BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE SINJALIZON PAVARËSINË E KUSHTËZUAR TË KOSOVËS


Jeremy Bransten, RFE/RL

Takimi dyditësh në Vjenë do të jetë një nga raundet e bisedimeve të procesit që pritet të zgjasë disa muaj. Por, rezultati përfundimtar nuk vihet në dyshim. Këtë ia kanë deklaruar Beogradit, zyrtarët e gjashtë vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit për Kosovën, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia. Bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë edhe aleatët tradicionalë të Serbisë, si Rusia, dëshirojnë një zgjidhje të përhershme të çështjes së Kosovës. Dhe duket se qëndrim konsensual si zgjidhje më të mirë në këtë rast, është pavarësia. Shefi i Zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Aleksander Anderson, negociatat e Vjenës i vendos në këtë kontekst:
"Gjatë muajit të kaluar, i dërguari i Shteteve të Bashkuara, ai i Britanisë, dhe i Bashkimit Evropian, me sa duket i thanë Beogradit se rezultati që favorizojnë në këtë proces është pavarësia, dhe se ai duhet të përqëndrohet në zgjidhjen më të mirë të mundshme për serbët e Kosovës. Beogradi zyrtar po vazhdon të refuzojë një gjë të tillë, dhe ky është sfondi psikologjik kundër të cilit po zhvillohen bisedimet në Vjenë", tha Anderson.
Mirëpo, pavarësia nuk ka qenë gjithmonë zgjidhje e favorizuar, ndërsa në Beograd ajo mbetet zgjidhje e mallkuar. Pra, çfarë ka ndryshuar?
Anderson përmend disa faktorë. Bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht Evropa, është shumë e interesuar që të vendosë rend në "shtëpinë e saj Ballkanike". Bashkimi Evropian i ka filluar bisedimet për anëtarësim me Kroacinë, e ka njohur Maqedoninë si kandidate për anëtarësim, dhe ka nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi me Serbinë e Bosnjën. Bullgaria e Rumania pritet t'i bashkohen BE-së vitin e ardhshëm, ose më së largu në vitin 2008. Dhe në këtë kontekst, Kosova po mbetej jashtë si një punë e pakryer.
Prandaj, gatishmëria e Rusisë që të mbajë anën e anëtarëve të tjerë të Grupit të Kontaktit dhe propozimet jopraktike të Serbisë për Kosovën, duket se e kanë shtuar konsensusin për pavarësinë.
"Nëse shikojmë sot në Serbi, a mund ta imagjinojmë për shembull që shqiptarët e Kosovës të ftohen të marrin pjesë në parlamentin e Serbisë, ku aktualisht kemi një sistem politik në të cilin, një parti radikale e racizmit të tërbuar anti-shqiptar gëzon 40 përqind të mbështetjes së opinionit?", vuri në pah Anderson, duke shtuar se është e qartë që bashkësia ndërkombëtare beson se propozime të tilla nuk kanë shanse të jenë të suksesshme. Sipas Andersonit, anëtarët e Grupit të Kontaktit janë të ndërgjegjshëm ndaj argumentit të Serbisë se pavarësia e Kosovës mund ta prishë balancin politik në Serbi dhe t'i sjellë në pushtet ultranacionalistët. Por të ballafaquar me opsione të vështira, duket se kanë ardhur në përfundimin që nuk ka zgjidhje tjetër.
Sipas analistëve, nëse Beogradi do të zgjedhte rrugën e mbetjes jashtë bisedimeve, atëherë zgjidhja do t''i imponohej.
Megjithatë, shumë çështje duhet të zgjidhen, nga ajo se sa pushtet do të ketë pakica serbe në Kosovë, deri tek ajo se çfarë roli do të ketë bashkësia ndërkombëtare pas pavarësisë.
"Padyshim se bashkësia ndërkombëtare dëshiron t'i mbajë shumë fije, të ndërlidhura me një Kosovë të ardhshme të pavarur. Barra më e madhe duket se do t'i bjerë Bashkimit Evropian dhe një misioni të tij më të vogël e më të përqëndruar që do ta zëvendësonte UNMIK-un, nga viti 2007. Por, çështja më e rëndësishme do të jetë se deri në çfarë mase bashkësia ndërkombëtare duhet t'i mbajë disa kompetenca ekzekutive në Kosovën e pavarur?", tha Anderson.
Grupi i Kontaktit thotë se dëshiron që të gjitha këto çështje të jenë të zgjidhura deri në fund të vitit. Në këtë pikëpamje, një rezolutë e re do të dërgohet në Këshillin e Sigurimit për të formalizuar statusin e ri të Kosovës.
XS
SM
MD
LG