Ndërlidhjet

PRESIDENTI SEJDIU NOMINOI AGIM ÇEKUN PËR POSTIN E KRYEMINISTRIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Presidenti Fatmir Sejdiu ka nominuar sot Agim Çekun për postin e kryeministrit të Kosovës. Në bazë të kompetencave kushtetuese dhe në bazë të marrëveshjes së koalicionit në mes të LDK-së, AAK-së dhe partnerëve të tjerë të koalicionit, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vendosur të nominojë Agim Çekun për kryeministër të Kosovës, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar pas një takimi që sot u zhvillua ndërmjet Sejdiut dhe kandidatit për postin e kryeministrit, Agim Çeku.
Sejdiu ka kërkuar nga kryeministri i nominuar që të formojë qeverinë në bazë të marrëveshjes së koalicionit. Ndërkohë që komandanti i deritashëm i TMK-së, gjeneral lejtnant Agim Çeku ka zhvilluar një takim dhe me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen dhe komandantin e KFOR-it Giusepe Valoto. Në këtë takim, Çeku tha se është diskutuar për kandidaturën e tij. Ai tha se nuk ka ambicie apo pretendime politike dhe se TMK-në do ta lëshonte vetëm nëse bëhet kryeministër dhe jo për ndonjë funksion tjetër partiak:
“Unë e lëshoj TMK-në në qoftë se bëhem kryeministër, jo për të hyrë në politikë, për të hyrë në parti politike. Por në qoftë se bëhem kryeministër, unë do t’i përfill rregullat demokratike çfarë janë dhe atëherë është mundësia që të vishem me petkun e ndonjë partie politike. Peterseni e ka shprehur përkrahjen e plotë për një mundësi të tillë”, tha Agim Çeku.
Në anën tjetër edhe shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, përmes një komunikate me shkrim, thotë se ka biseduar me Çekun për të gjitha zhvillimet aktuale politike. Kurse lidhur me kandidaturën e tij për kryeministër, Petersen ka shprehur besimin e tij se Kuvendi i Kosovës do të veprojë shpejt dhe pasi që Çeku t’i ketë konsultuar partitë politike, të thërrasë mbledhjen për zgjedhjen e kryeministrit dhe qeverisë së re.
Me nominimin e tij për postin e kryeministrit, Agim Çeku largohet nga posti i komandantit të TMK-së. Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma ka thënë sot se Agim Çeku do të anëtarësohet në këtë parti dhe do të pranojë librezën nga nënkryetari i parë i saj, përkatësisht kryeministri në dorëheqje Bajram Kosumi. Më pas, mandatarit të ri i mbetet që të konsultohet me partitë në koalicion për të formuar qeverinë e re të Kosovës, e cila pas nominimit nga presidenti, hyn në procedurën e votimit dhe zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve.





XS
SM
MD
LG