Ndërlidhjet

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR REFERENDUMIN NË MAL TË ZI


Përgjatë kufirit që ndan Malin e Zi me Shqipërinë, udhëtarët kontrollohen nga policia dhe doganierët malazezë. Këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, përvec faktit se shteti i tyre nuk ekziston, shkruan në numrin e sotëm e përjavshmja “Economist”. Teknikisht, shkruan gazeta, Mali i Zi vazhdon të jetë një pjesë e brishtë federale e unionit shtetëror me Serbinë. Që prej vitit 1997, qeveritë malazeze nën udhëheqjen e Milo Gjukanoviqit, shpresojnë të fitojnë pavarësinë që e kanë humbur më 1918. Por, përkrahja e opinionit publik për pavarësinë, për dallim nga ajo që ekziston në Kosovë, është larg nga përkrahja e dëshiruar, të paktën kështu tregojnë sondazhet. Nëse partitë politike në favor të unionit me Serbinë bojkotojnë referendumin e përcaktuar për 21 Maj, atëherë pason kriza. Miroslav Lajcak, i dërguari i Bashkimit Evropian nga Sllovakia, ka hartuar një plan, sipas të cilit çdo referendum duhet të mbështetet me 55 % vota pro dhe që vendimi të jetë i ligjshëm, 50 % e elektoratit duhet të marrë pjesë. Gazeta shkruan se sondazhet e deritashme tregojnë se rreth 41 % e malazezëve mbështesin pavarësinë, kurse 32 % e kundërshtojnë atë.
Politikanët që mbështesin pavarësinë thonë se plani i zotit Lajcak është jo demokratik, meqë sipas tij vota për unionin me Serbinë ka më shumë vlerë se sa ajo për pavarësinë. Zyrtarët malazezë gjithashtu janë ankuar se Bashkimi Evropian është duke shantazhuar, me insistimin se nëse plani i zotit Lajcak nuk pranohet, nuk do të lejohet as monitorimi i referendumit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunimin Evropian. Miodrag Vlahoviç, ministri i jashtëm i Malit të Zi, thotë se vendimi se kush është fitues do të merret në Mal të Zi dhe jo në Bruksel, shkruan Economist.
E përditshmja “IHT” citon kryeministrin malazez, Milo Gjukanoviq, të ketë thënë se pret që në referendum të fitojë 55 % të votave, por nëse referendumi dështon, ai thotë se do të japë menjëherë dorëheqje. Sipas tij, mbetja në union me Serbinë është problematike për faktin se ekonomitë e të dyja vendeve janë të harmonizuara. Të dyja vendete kanë valuta të veçanta, regjime të veçanta tatimesh dhe rregulla të ndryshme tregëtie. “Nëse shikoni dispozitat natyrore të ekonomive, do të shihni se unioni nuk ka kuptim”, thotë zoti Gjukanoviq, duke shtuar se është i vetëdijshëm se krijimi i një shteti të ri dhe të vogël mund të ndërlikojë punën e grupeve të mëdha siç është Bashkimi Evropian. Por, ai gjithashtu është i sigurtë se popullata e Malit të Zi ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e vet”, shkruan IHT.

XS
SM
MD
LG