Ndërlidhjet

KUPCHAN: TË PANJOHURAT E PAVARËSISË SË KOSOVËS...


Charles A. KUPCHAN, ekspert në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme /SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht po zhvillohet procesi i bisedimeve për decentralizim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e të dërguarve të Kombeve të Bashkuara. Bashkësia ndërkombëtare thotë se ky proces duhet të përfundoj para çështjes së statusit të Kosovës. Sipas jush a mund të arrihet kjo?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se ndoshta çështja do të zgjidhet teoritikisht, por dyshoj se do të zgjidhet në praktikë. Gjatë periudhës së "standardeve para statusit" ishte gjithnjë një përshtypje se qeveria në Prishtinë duhej t'i realizonte disa objektiva, para se të fillonte diskutimi për status dhe, përfundimisht, mendoj se bashkësia ndërkombëtare e kuptoi se afati ishte shumë i zgjeruar dhe se gjërat po lëviznin shumë ngadalë. Prandaj, pres që negociatat të çojnë në një marrëveshje të sigurtë se si të vazhdohet me decentralizimin; pra çfarë lloji të pushtetit do të ketë bashkësia serbe në Kosovë. Por, dyshoj se ne, domosdoshmërisht, do të shohim se të gjitha këto masa do të jenë të jetësuara para se të lëvizet drejt një lloji të statusit final.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se ju mendoni se, para se gjithash, do të ishte më mirë që të zgjidhet çështja e statusit?

CHARLES KUPCHAN
Pikëpamja ime tash është se formula më e drejtë është statusi dhe standardet. Kjo do të thotë se ajo që thuhet se Kosova duhet t'i bëjë fazat A,B,C dhe D, para se të ketë një lloj të statusit të qartë politik, është një levë shumë e lartë pasi unë nuk mendoj se do të ketë arritje të suksesshme në disa standarde, siç është decentralizimi, mbrojtja e minoriteteve apo funksionimi i institucioneve politike, për zgjidhjen e statusit politik. Prandaj, mendoj se këto dy çështje duhet të lëvizin së bashku paralelisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Përkundër faktit se çështja e decentralizimit është përshkruar si çështje teknike, disa thonë se ky është fillim i bisedimeve për statusin. I dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari ka thënë se do të dëshironte që çështja e statusit të zgjidhet këtë vit. Nga pikëpamja juaj, a do të arrihet kjo?

CHARLES KUPCHAN
Po. Mendoj se ekziston një sasi e konsiderueshme e presionit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të lëvizë më shpejtë në diskutimin e çështjeve madhore në tryezë. Në disa drejtime, duket se ajo që po ndodhë është se para fokusimit në çështjen qendrore, nëse Kosova do të ketë pavarësi, ndërmjetësuesit po fokusohen në kushtet, që do të ekzistojnë kur të arrihet statusi final. Mendoj se duke pasur parasysh se çfarë çmimi kjo do të ketë për qeverinë e Serbisë, pra për t'u pajtuar me pavarësinë, ndoshta mund të përfundojmë në një situatë, në të cilën nga ana e bashkësisë ndërkombëtare do të merret një vendim për pavarësi, të cilën serbët esencialisht do të duhej ta pranonin. Kjo do të ishte më e pranueshme se sa që ata të nënshkruanin një marrëveshje të tillë, për të cilën, me gjasë shumica e politikanëve serbë këtë do ta shihnin si akt të vetëvrasjes politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, si e shihni ju rolin e Beogradit në këtë proces?

CHARLES KUPCHAN
Në këtë pikë mendoj se po fokusohen në detaje, në çëshjen e decentralizimit. Vlerësimi im është se, poashtu, do të ketë diskutim për kompensim: kush ka të drejtë në pasuri të caktuara? Nëse Kosova bëhet e pavarur a do të kompesohej shteti serb në aspektin ekonomik për disa pretendime që i ka për infrastrukturën fizike në Kosovë? Pastaj, çka do të bëhet me serbët që ndoshta mund të mbesin në Kosovë, a do të vendosin disa prej tyre të largohen në Serbi, a do të vazhdojnë ata të jetojnë në enklava të vogla, a do të ketë lëvizje të popullatës brenda Kosovës? Pra, mund të ndodhë që enklava shumë të vogla, që kanë për shembull 10 serbë, të lëvizin në rajonet me popullatë më të madhe serbe ku ata do të ndjehen më të sigurtë dhe të mbrojtur. Në këtë aspekt, çështje madhore është Kosova veriore. Nuk kam ide nëse është diskutuar kjo çështje, por përfundimisht, duhet të diskutohet për statusin e Kosovës veriore dhe si ajo do të ri-integrohet në një Kosovë të pavarur. Pra, kjo është çështje, që patjetër duhet të diskutohet, duke pasur parasysh se rajoni është me popullatë shumicë serbe. Megjithëse, kjo eshtë pjesë e Kosovës sot, në shumë aspekte, ajo, faktikisht, është pjesë e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se kjo çështje duhet të jetë e hapur për diskutim. Gjatë vitit të fundit bashkësia ndërkombëtare publikisht ka deklaruar se ndarja nuk është opsion dhe se kjo nuk kosniderohet çështje për diskutim. Unë nuk pajtohem me këtë pikëpamje për dy arsye të ndryshme: njëra është se është e mundshme që ndarja mund të krijoj nxitje për Beogradin, që të nënshkruaj marrëveshjen, ose, së paku të ketë ndjenjën se, deri në një masë, është kompensuar dhe se për këtë arsye ia vlenë të mbetet në tryezë nëse është e aftë të arrijë kompromis. Arsyeja e dytë është se unë kam shqetësime lidhur me gatishmërinë e Prishtinës dhe të bashkësisë ndërkombëtare, që ta shpenzoj kapitalin politik dhe burimet e domosdoshme që seriozisht ta ri-integroj Kosovën veriore në një shtet të pavarur kosovar. Nuk mendoj se rajoni do të duhej të mbahej pjesë e Kosovës derisa të mos ekzistoj një përkushtim i qartë për të vazhduar me integrim, sepse, në të kundërtën, do të kemi një problem tjetër: Kosova bëhet e pavarur, pjesa veriore e saj mbetet brenda shtetit të pavarur, por që faktikisht nuk funksionon si pjesë e shtetit, pra nuk është nën kontrollin e Prishtinës. Ky nuk do të ishte përfundim i mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Muajin e fundit, sekretari i jashtëm britanik, Xhek Stro tha se "pavarësia e Kosovës është e pashmangshme". Kjo ishte deklarata e parë e tillë nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë. Si e komentoni këtë deklaratë?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se ka pasur një ndryshim gjatë viteve të fundit brenda Grupit të Kontaktit, e veçanërishti në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore, në kuptimin se pavarësia e Kosovës, megjithëse problematike sipas perspektivës serbe, përfundimisht do të ndodhë. Ndoshta rusët nuk do të jenë të gatshëm për këtë gjë, kinezët mund të kenë rezerva, por dyshoj se si njëra ashtu edhe pala tjetër, janë të përgatitura për ta bllokuar vendimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mendoj se tash jemi në një pozitë (në negociata) në të cilat ekziston ndjenja se rruga po çon në pavarësi për Kosovën. Dhe sot, çështje në tryezë nuk është nës do të ndodhë kjo, por si dhe kur do të ndodhë? Diskutimet lidhur me decentralizimin, me kompensimin, se si të mbrohen serbët që mbeten në Kosovë, në njëfarë mënyre paraqesin përgatitje të domosdoshme për arritjen e përfundimit, që shumë njerëz e shohin si shumë të mundshme, e kjo është pavarësia formale.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. A mendoni se përfundimisht, ky Këshill do të vendosë për statusin e Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Në rezolutën burimore të OKB-së, që u miratua menjëherë pas fushatës së bombardimeve, pra në rezolutën 1244, është një formulim i qartë se Kombet e Bashkuara, në fund, do t'i kthehen shqytimit të statusit final. Duke pasur parasysh se OKB-ja e ka administruar Kosovën, nëpërmjet të UNMIK-ut, me ndihmën e NATO-s dhe të BE-së, gjatë 5 – 6 viteve të kaluara, duket se është obligim dhe e drejtë e Kombeve të Bashkuara për të vepruar në qartësimin e statusit final të Kosovës. Prandaj, ndjej se përfundimisht kjo çështje duhet të paraqitet në Këshillin e Sigurimit dhe duhet të hartohet një rezolutë e re, me gjasë, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur. Kjo, pastaj shtron çështjen nëse Kosova do të ketë ulëse në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe mendoj se kjo është, me gjasë, një çëshje tjetër që do të diskutohet në Vjenë. Siç sugjerojnë shumë Kosova duhet të ketë një lloj të pavarësisë; me sovranitet por jo sovranitet të plotë. Me fjalë të tjera, duket, së paku në një periudhë afatshkurtër, nuk do të ketë ulëse në Asamblenë e Përgjithshme. Pra, do të shohim se nga do të shkoj ky debat.

Intevistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG