Ndërlidhjet

SIPAS UNICEF-IT RRITET NUMRI I FËMIJËVE TË TRAFIKUAR BRENDA KOSOVËS


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Trafikimi i fëmijëve brenda Kosovës ka shënuar rritje, ndërsa numri i viktimave që vijnë nga jashtë ka shënuar rënie, thonë zyrtarë në Fondin Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë. Arbena Kuriu nga ky fond ndërkaq pohon se është shumë vështirë të ofrohen shifrat e sakta, pasi shumica prej tyre janë të paidentifikuar, por prej vitit 1999 e deri në fund të vitit 2004 janë mbi 100 fëmijë viktima që janë asistuar nga organizata të ndryshme, që merren me mbrojtjen e fëmijëve.
"Nuk do të thotë se është ky numri përfundimtar, mund të ketë ende më shumë, por ka dhe probleme të tjera të identifikimit. Shumicën e rasteve janë hasur raste kur organet kompetente nuk kanë qenë në gjendje ta identifikojnë fëmijën si fëmijë."
Zonja Kuriu pohon se mosha e fëmijëve të trafikuar është prej 14-18 vjeç, ndërsa shumica e rastit të viktimave janë të gjinisë femërore që shfrytëzohen për qëllime seksuale.
"Kryesisht shfrytëzim për qëllime seksuale, domethënë shërbim nëpër lokalet, në të cilat po zhvillohet prostitucioni. Nuk është hasur, nuk ka tregues se po trafikohen edhe për qëllime të tjera, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që mund në të ardhmen të lajmërohet edhe kjo dukuri".
Ndryshe, sipas zonjës Kuriu, në shumicën e rasteve fëmijët e trafikuar vijnë nga familjet me gjendje të rëndë sociale dhe me nivel të ulët të arsimit.
"Profili i viktimave të trafikimit na tregon se viktimat kryesisht vijnë nga familjet e varfëra, nga familjet që kanë përjetuar ndonjë lloj dhune në familje, që kanë nivel të ulët arsimimi dhe mungesë të mundësive për punësim".
Zonja Kuriu ndërkaq thotë se institucionet vendore dhe vetë shoqëria kosovare në përgjithësi duhet t'i kushtojnë një vëmendje më të madhe parandalimit të kësaj dukurie, sepse sipas saj kjo mund të marrë përmasa edhe më të mëdha.
"Nëqoftëse nuk merren masa urgjente, çështja mund të rritet. Çështja e trafikimit është krim dhe duhet t'i përqasemi nga të gjitha aspektet. Duhet të ketë veprim të menjëhershëm nga ana e organeve gjyqësore, nga ana e organeve të rendit. Organet gjyqësore duhet të jenë më shumë të ndjeshëm dhe të mos riviktimizojnë viktimat".
Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim, kanë zhvilluar një projekt që ka për qëllim parandalimin e trafikimit me qënie njerëzore, thotë Lulavere Kadriu, koordinatore për të drejtat e njeriut në Ministrinë e Arsimit.
"Në kuadër të këtij projekti ne kemi 40 shkolla provuese, të cilat e pilotojnë këtë projekt. Kemi trajnuar një numër të madh të mësimdhënësve dhe po ashtu, kemi përgatitur materiale, udhëzues për mësimdhënës dhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme".
Ndryshe kjo ministri e ka përgatitur lëndën "Shkathtësi për jetë", në të cilën nxënësit e klasës së tetë të shkollës fillore kanë mundësi të mësojnë lidhur me luftimin e trafikimit të qënieve njerëzore.



XS
SM
MD
LG