Ndërlidhjet

UISNER: OPTIMIST PËR ECURINË E BISEDIMEVE PËR STATUSIN E KOSOVËS


Alma Çupi, Tiranë

Jam mjaft optimist për ecurinë e deritanishme të bisedimeve për statusin e Kosovës, tha i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, Frank Uisner sot në Tiranë.
Takimin e parë e pati me kryeministrin Sali Berisha, me të cilin ka qëndruar për rreth një orë. Në mbarim të takimit ambasadori Uisner vlerësoi rolin e Shqipërisë, duke shtuar se Shqipëria është për Shtetet e Bashkuara një partnere e një rëndësie themelore për arritjen e paqes në rajon.
“Për statusin e ardhshëm të Kosovës çdokush në rajon duhet të japë ndihmesën e vet dhe Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në këtë proces. Negociatat kanë bërë përpara dhe ajo që duhet të bëjmë tani është që të sigurohemi se përpjekjet e zotit Ahtisari kanë mbërritur në sukses në një marrëveshje për decentralizimin dhe respektimin e të drejtave fetare dhe të pakicave,” tha i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, Frank Uisner.
Kryeministri Sali Berisha, premtoi se Shqipëria në çështjen e statusit të Kosovës do të mbajë qëndrimin e saj aktiv.
“Për Shqipërinë është mjaft e rëndësishme që në Kosovë të respektohen liritë e feve të ndryshme dhe të drejtat e pakicave”, tha kryeministri Sali Berisha.
Ndërsa i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, Frank Uisner tha se gjatë takimeve që ka patur deri më tani në vendet e tjera, si Prishtinë dhe Beograd, pati mundësinë që të shikonte nga afër përkushtimin e madh të zyrtarëve atje në punë.
Ambasadori Uisner do të qëndrojë edhe nesër në Tiranë ku do të vijojë takime edhe me përfaqësues të politikës dhe organizata jo qeveritare.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, Frank Uisner para se të vinte në Tiranë vizitoi Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe Greqinë, si pjesë e turit të tij ballkanik.

XS
SM
MD
LG