Ndërlidhjet

DISKUTIMET PËR STANDARDET NË KUVEND U SHNDËRRUAN NË POLEMIKA TË ASHPRA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zbatimi i standardeve është shndërruar në një proces që ka dominuar jetën politike në Kosovë, të vlerësuar dhe nga bashkësia ndërkombëtare, ka thënë sot kryeministri i Kosovës Agim Çeku, gjatë një debati të zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, lidhur me zbatimin e standardeve. Me gjithë sfidat dhe vështirësitë, plotësimi i standardeve, tha Çeku, mund të konsiderohet i suksesshëm. Ne i marrim seriozisht vlerësimet e ndërkombëtarëve se dinamika e përmbushjes së standardeve, shpejton dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës, ka thënë kryeministri Çeku. Prandaj sipas tij, qeveria ka bërë disa ndryshime në mekanizma dhe struktura të saj për të dinamizuar procesin.
"Krijimi i agjencionit për prona do t'i japë fund uzurpimit të pronave komerciale dhe atyre bujqësore, dhe këto uzurpime, përveç dëmeve të mëdha që na kanë shkaktuar në procesin politik, janë gjithashtu pengesë e madhe e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Krijimi i dy ministrive të reja është duke u zhvilluar plotësisht në përputhje me procedurat dhe ligjshmërinë dhe si rezultat, po përgatitemi për marrjen e më shumë kompetencave në fushën e drejtësisë dhe të rendit."
Debati për standardet është inicuar nga Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh opozitar në Kuvend. Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi tha se Kosova me një qeveri çka është kjo e tanishmja, e zhytur në korrupsion dhe e inkriminuar, nuk premton më asgjë se do të angazhohet në plotësimin e standardeve.
"Si mund të plotësojë kriteret perëndimore një qeveri e këtillë, e zhytur në krim dhe korrupsion, kur vetë korrupsioni dhe krimi janë dikuri që luftohen më së shumti në botën demokratike. Tashmë vetë emërimi i ministrave dhe kryeministrave është bërë nga struktura krej parapolitike dhe aspak demokratike."
Hashim Thaçi dhe sot kërkoi që Kosova të formojë një qeveri teknike, e cila do të drejtonte Kosovën deri në zgjedhjet e ardhshme. Për dallim nga kryetari i PDK-së, shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi, tha se LDK-ja e mbështet qeverinë e Kosovës dhe angazhimet e saj për zbatimin e standardeve që do të shpien Kosovën drejt pavarësisë dhe shtetit sovran.
"Si grup parlamentar e përgëzojmë qeverinë me entuziazëm lidhur me këtë çështje, si dhe me rezultate evidente për një Kosovë të pavarur, një Kosovë euroatlantike."
Akuzat e liderit të PDK-së janë kundërshtuar edhe nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Naim Maloku. Ai jo vetëm se i dha mbështetje qeverisë së koalicionit, por i quajti krejt të paqëndrueshme konstatimet e Thaçit për një qeveri të inkriminuar dhe të korruptuar.
"Në emër të grupit parlamentar të AAK-së, i hedh poshtë të gjitha supozimet dhe vlerësimet e grupit parlamentar të PDK-së dhe opozitës, të shprehura këtu nga goja e kryetarit të PDK-së, zotit Thaçi. Fjalia e tij që faktet dhe argumentet për keqmenaxhim dhe keqpërdorim është qeveria që po e shihni këtu, tregon që kurrfarë fakti nuk posedon dhe kurrëfarë argumenti për këtë çështje".
Ndërkohë, kryetari i partisë reformiste Ora Veton Surroi, tha se qeverisja e mirë garanton realizimin e standardeve ndërsa keqqeverisja të kundërtën. Surroi përmendi me këtë rast çështjen e auditimit, çka ka sjellë si rezultat, që asnjë komunë deri më tash, apo ndonjë instancë tjetër, nuk doli se ka menaxhuar mirë dhe pa keqpërdorim me mjetet buxhetore.
"Qasja e qeverisë ndaj fenomenit të demokracisë dhe sundimit të ligjit, do duhej të ishte dhe fakti se janë botuar dhe raportet e auditorëve të shumë komunave të Kosovës dhe në të gjitha këto raporte, në të gjitha absolutisht, ekziston fenomeni i keqmenaxhimit, i keqpërdorimit të parasë publike. Nuk është shkarje keqmenaxhimi, është normë e sjelljes, është kulturë qeverisëse."
Standardet për Kosovën janë inicuar fillimisht nga kryeadministratori gjerman për Kosovën Mihal Shtajner, gjatë vitit 2003, e më pas ato u rimodifikuan sipas një modeli të propozuar nga ish nënsekretari i shtetit amerikan për çështje politike, Mark Grosman. Që atëhere standardet mbetën dhe kriteri me të cilat bashkësia ndërkombëtare në njëfarë forme bën dhe vlerësimin e shkallës së përparimeve në Kosovë.



XS
SM
MD
LG