Ndërlidhjet

HAGË/BEOGRAD


Zëvendës kryeministri i Serbisë Miroljub Labus tha se ka dhënë dorëheqje për shkak se qeveria nuk e ka arrestuar të akuzuarin për krime lufte Ratko Mlladiq.
Në Hagë, kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Carla del Ponte tha se kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica e kishte "mashtruar" kur i pat premtuar se Ratko Mlladiq do të arrestohet deri në fund të prillit.
"Unë u mashtrova kur nga fundi i marsit më thanë se arrestimi i Mlladiqit është çështje ditësh apo javësh", tha Del Ponte.
Ajo tha se nga fundi i janarit, autoritetet serbe kishin mundësi ta arrestojnë të akuzuarin për gjenocid, por i bënë thirrje që vetë të dorëzohet.
Në Beograd, kryeministri Koshtunica tha se qeveria e tij ka bërë "gjithçka të mundur" për ta arrestuar Mlladiqin. Ai tash është i privuar nga rrjeti i mbështetësve dhe po fshehet "krejtësisht vetëm", ndërsa "zbulimi i vend ndodhjes së tij është çështje teknike", ka thënë Koshtunica.
Ministri i jashtëm malazez Miodrag Vllahoviq, tha se Mali i Zi nuk mban përgjegjësi për ndërprerjen e bisedimeve me BE-në, dhe se kjo republikë është bërë "peng" i mosbashkëpunimit të Serbisë me Tribunalin e Hagës.
Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd Michael Polt i paralajmëroi autoritetet serbe se mund ta humbin ndihmën financiare amerikane.
E di se Vojisllav Koshtunica është serioz në qëllimet e tij për ta përfunduar bashkëpunimin me Hagën, por fatkeqësisht rezultatet kanë munguar, ndërsa vetëm qëllimet nuk mjaftojnë, ka thënë Polt.
XS
SM
MD
LG