Ndërlidhjet

VAZHDOJNË KUNDËRTHËNIET RRETH GJENDJES NË UNIVERSITET


Albana Isufi, Prishtinë

Parlamenti studentor thotë se edhe më tej mësimi në Universitetin e Prishtinës është duke u bojkotuar, përderisa zyrtarë nga Rektorati thonë të kundërtën. Nënkryetari i Parlamentit të studentëve Sejdi Hoxha, thotë se bojkotimi po vazhdon në të paktën 80 për qind të fakulteteve.
“Unë mendoj se 80 përqind të fakulteteve brenda UP-së janë në bojkot, me përjashtim të Fakultetit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Shkencave Natyrore, Deparatamenti i Kimisë. Dhe vetëm ata profesorë, që janë të politizuar dhe të kërcënuar nga pushteti aktual po zhvillojnë procesin mësimor”.
Por, sekretari i Rektoratit, Destan Halimi, që njëherësh është i caktuar nga Ministria e Arsimit edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit, thotë se gjendja në universitet sot është shumë më e mirë sesa në dy ditët e kaluara.
“Në shumicën e fakulteteve është duke u mbajtur mësimi, ndërsa në disa, mësimi mbahet pjesërisht, por nuk ka pengesa siç ka patur dje”.
Shkas për bojkotimin e mësimit, sipas Parlamentit studentor, është ndërhyrja e dhunshme e Ministrisë së Arsimit në Universitetin e Prishtinës, përmes një udhëzimi administrativ. Ministria e Arsimit ka hedhur poshtë këtë përfundim.
Parlamenti studentor ka organizuar dje protesta duke kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Arsimit, Agim Veliu.
Sejdi Hoxha thotë se bojkotimi i mësimit do të vazhdojë edhe më tej.
“Me bojkot do të vazhdojmë deri në realizimin e kërkesave tona dhe nga java e ardhshme do të dalim edhe me forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë”.
Anëtari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës Destan Halimi, shpreson se problemet në raportet Ministri e Arsimit –Universitet do të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.
“Sigurisht se pritet edhe mbledhja e Kuvendit rreth situatës në universitet dhe besoj që Kuvendi do të debatojë dhe do ta trajtojë këtë çështje dhe ma merr mendja, që do merret ndonjë vendim dhe do të vazhdojë puna ashtu siç vendos Kuvendi”.
Raportet Ministri e Arsimit –Universitet janë ritensionuar muajin e kaluar, pas vendimit për shpalljen e konkursit për rektor të marrë nga Senati i universitetit. Vendimi u shpall i pavlefshëm nga Ministria e Arsimit, e cila solli një udhëzim administrativ me të cilin i jep fuqi ministrit të ndërhyjë në punët e universitetit. Ministri Agim Veliu, shkarkoi më pas nga detyra kreun e Këshillit Drejtues të Universitetit Jahi Hoxhën, të cilin më parë vetë e kishte emëruar. Tani, Ministria e Arsimit insiston në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në universitet, gjë që kundërshtohet nga disa anëtarë të Këshillit Drejtues të Universitetit dhe të Parlamentit studentor.

XS
SM
MD
LG