Ndërlidhjet

KUVENDI DEBATON GJENDJEN NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS


Albana Isufi, Prishtinë

Më shumë se nje orë iu është dashur kuvendarëve të Kosovës për të vendosur se si do të debatohet për gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës, në të cilin nuk dihet nëse është duke u zhvilluar mësimi apo jo.
Debati ka filluar me gjithë refuzimin fillestar të opozitës rreth rendit të ditës të caktuar nga Kryesia e Kuvendit, që të debatohet vetëm për gjendjen në universitet dhe jo siç ishte kërkuar për të debatuar edhe për gjendjen e arsimit në përgjithësi.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë theksuar se veprimet e fundit të Ministrisë së Arsimit, siç është udhëzimi administrativ 11/2006, i cili u miratua nga qeveria, paraqet masë të dhunshme. Deputeti nga kjo parti Enver Hoxhaj, ka deklaruar se ndërhyja e Ministrisë së Arsimit në Universitetin e Prishtinës është e paligjshme. Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Hoxhaj ka sugjeruar shfuqizimin e udhëzimit administrativ, depolitizimin e Universitetit, krijimin e një pale të tretë që do të negocionte mes ministrisë dhe rektoratit, si dhe shpalljen e një rektori të përkohshëm.
“Grupi parlamentar i PDK-së sugjeron që të zgjidhet një rektor i përkohshëm ose ushtrues i detyrës së rektorit, i cili do të ruante neutralitetin dhe do të garantonte që zgjedhjet në Universitetin e Prishtinës të jenë të drejta, demokratike e që mbi të gjitha do të jenë për akademikët e UP-së”.
Ndërkohë, Ministri i Arsimit Agim Veliu, ka mbrojtur veprimet e ministrisë duke thënë se të gjitha këto kanë gjetur mbështetjen ligjore në Kornizën Kushtetuese, në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe statutin e universitetit. Veliu ka insistuar në përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme në universitet para përfundimit të vitit akademik.
“Mund t’ju siguroj se qeveria e Kosovës dhe ministria do të bëjnë të pamundurën, që të mbështesin këtë proces dhe kjo do të vendoset përmes punës së vazhdueshme duke u bazuar në autoritetin e dhënë, që të sigurojmë se autonomia e UP-së më në fund të hyjë në fuqi përmes një rektori të ri dhe të pakontestueshëm”, tha Veliu.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Alush Gashi, konsideron se Universiteti i Prishtinës, për shkak të konflikteve dhe anarkisë, është duke ngecur dhe ka mbetur i izoluar nga dija botërore.
“Ne mbështesim pa rezervë tejkalimin e kësaj situate të palakueshme. Nga kjo gjendje sa do e rëndë që është, zgjidhja është në zgjedhje”, tha Gashi.
Partneri i koalicionit qeverisës AAK, ka mbështetur po ashtu zgjedhjet në universitet. Gjylnaze Syla, shefe e grupit parlamentar të AAK-së, thotë se duhen tejkaluar tendencat e deritashme për politizimin e universitetit.
“Nuk mund të tolerohet që universiteti të bëhet fushëbetejë e konfrontimeve politike të grupacioneve. Të gjithë duhet të kuptojmë se universiteti në radhë të parë duhet t’u ofrojë perspektivë profesionale dhe shkencore studentëve të Kosovës. Të gjithë e dimë se kjo perspektivë nuk është duke iu ofruar studentëve”.
Përfaqësuesit e grupit parlamentar Ora kanë konsideruar se universiteti që nga paslufta është bërë arenë e konfrontimeve mes LDK-së, që sipas tyre ka kontrolluar çdoherë Ministrinë e Arsimit, si dhe të PDK-së, e cila ka ushtruar kontroll mbi rektoratin. Genc Gorani nga kjo parti, thotë se i mbetet Kuvendit që t’ia kthejë autonominë universitetit të vetëm publik të Kosovës.
“Propozojmë të formohet një komision special në kuadër të Kuvendit, i cili do të sigurojë daljen nga kriza dhe rifunksionimin normal dhe autonom të universitetit. Duhet të sigurohet depolitizimi i universitetit”, tha Gorani.
Deputetët kanë vazhduar diskutimet edhe në orët e pasdites.
Në anën tjetër, edhe sot ka informacione kundërthënëse rreth gjendjes në universitet. Parlamenti studentor thotë se mësimi është duke u bojkotuar edhe më tej në fakultetet e Universitetit të Prishtinës, përderisa zyrtarë të Ministrisë së Arsimit konfirmojnë të kundërtën. Tensionet mes rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit kanë rifilluar pasi që Senati i Universitetit shpalli konkursin për rektor, me të cilën gjë nuk u pajtua Ministria e Arsimit, e cili shpalli të pavlefshëm vendimet e Senatit, dhe kërkoi zgjedhje të përgjithshme.

XS
SM
MD
LG