Ndërlidhjet

HARADINAJ: UNITETI POLITIK I DOMOSDOSHËM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Negociatat janë njëra nga rrugët për realizimin e pavarësisë së Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa Beogradi është dëshmitar i asaj që po ndërtohet në Kosovë, tha sot kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që udhëheq koalicionin qeverisës, zoti Ramush Haradinaj. Këto komente zoti Haradinaj i ka bërë një debat me organizatat jo qeveritare mbajtur në Prishtinë, me ç’ rast ka folur për procesin negociues, për decentralizimin si dhe për integrimet evroatlantike:
"Kosova është duke kaluar nëpër periudhën më të rëndësishme të historisë së saj të re, është në prag të finalizimit të ndërtimit të shtetit të saj dhe me këtë rast, ajo që duhet veçuar është domosdoshmëria dhe rëndësia e unitetit në spektrin politik rreth këtij procesi dhe funksionaliteti i mekanizmave të krijuar, mendoj në ekipin e unitetit dhe grupet punuese që veprojnë."
Zoti Haradinaj tha se Kosova ka dëshmuar shumë herë se e meriton pavarësinë, mirëpo, rruga e negociatave me bashkësinë ndërkombëtare është mënyra me të cilën Kosova është pajtuar për të arritur synimet e saj:
"Është njëra nga rrugët e mundshme për ta arritur pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Ne kemi shprehur gatishmërinë për t’i dhënë përparësi mënyrës së harmonisë për të arritur pavarësinë, pra në një proces ku është e përfshirë bashkësia ndërkombëtare dhe po ashtu e konsideroj Beogradin si dëshmitar të asaj që Kosova po ndërton në Kosovë," tha zoti Haradinaj, për të shtuar se negociimin e kanë menduar si të nevojshëm me njerëzit e Kosovës, në mënyrë që për problemet që lidhen me serbët e Kosovës, të bisedohet me ta.
Një temë që është futur në negociata-decentralizimi është një nga instrumentet që pala kosovare e ka vlerësuar si real dhe të mundshëm, për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të atyre që nuk janë mbështetës të pavarësisë së Kosovës. Zoti Haradinaj këtë e quajti pjesë të kompromisit që bëjnë institucionet dhe spektri politik i Kosovës:
"Pjesa më e ndjeshme në decentralizim ka qenë dhe mbetet gjetja e një zgjidhjeje reale për veriun e Mitrovicën dhe në këtë kuadër pala kosovare ka dhënë një opsion, e shtyrë nga dy qëllime. Së pari, jemi në Kosovë dhe duhet të kemi zgjidhje për çështjet e pazgjidhura, së dyti, për ta vërtetuar se një zgjidhje apo pjesë e zgjidhjes kemi ndjenjë të privilegjimit të pakicës në Kosovë, në këtë rast të pakicës serbe, pra është gjetur një zgjidhje bujare".
Zoti Ramush Haradinaj tha se lidhur me integrimet evroatlantike Kosova ka shumë përparësi në raportet me vendet e tjera të rajonit:
"Sa u përket integrimeve, mendimi im është se Kosova nuk është rast i ngjashëm me shumë vende të tjera të rajonit dhe nuk mund të radhitet e prapa në listën e atyre që janë kandidatë për integrim në BE dhe në institucionet e tjera, si NATO."
Duke e arsyetuar këtë qëndrim, zoti Haradinaj tha se Kosova qeveriset nga një president me pushtet të plotë, që është kryeadministratori që tash e shtatë vjet është evropian, dhe të gjitha normativat ligjore në Kosovë janë nënshkruar nga ai dhe janë filtruar nga ekspertë, që të shumtën e rasteve kanë qenë evropianë. Gjithçka në jetën e kosovarëve e kanë firmën e një evropiani e në këtë kuadër shihen edhe drejtësia e policia, pastaj ekonomia dhe të gjitha fushat e tjera, jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në nivele komunale. Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se për një zhvillim ekonomik Kosovës i duhet kulturë e qeverisjes dhe dinjitet. Pjesëmarrësit në debat kryesisht janë interesuar lidhur me procesin negociues, decentralizimin dhe debatin për qeverisje të mirë.
XS
SM
MD
LG