Ndërlidhjet

BRUCE HITCHNER: PËR KOSOVËN NUK KA ZGJIDHJE PA KONSENSUS


"Kur them konsensus kam ndërmend një pranim të përgjithshëm se si do të jetë e ardhmja në Kosovë. Asgjë nuk do bëhet në Këshillin e Sigurimit nëse nuk arrihet një lloj marrëveshjeje. Pra në kuptimin absolut, ajo që do të bëjë Këshilli i Sigurimit është ose konfirmimi ose refuzimi i asaj që do të jetë vendosur mbi bazën e negociatave", thotë Bruce Hitchner, kryesues i Projektit të Dejtonit dhe profesor në Universitetin Tufts në Medford të Shteteve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Tash e kemi situatën kur kanë përfunduar bisedat për decentralizim ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Por ka pasur raporte për pozicione totalisht të kundërta ndërmjet të dy palëve. Si e vlerësoni ju këtë situatë?

BRUCE HITCHNER
Situata në Kosovë është e tillë që duhet të ketë një qeverisje efikase në të gjitha nivelet dhe nuk mund të shkojmë drejt një situate, siç ka qenë 10 vjet më parë, përballë Dejtonit në Bosnjë, ku gjithçka ishte e ndarë në mënyrën më të keqe, në pikën që mbizotëronte joefikasitet dhe ndarja etnike bëhej parim i tërësishëm. Ajo që është e nevojshme të ndodhë është ekzistimi i një respekti për interesat e të gjithë njerëzve, si të pakicave ashtu dhe të shumicës në Kosovë. Por, në të njëjtën kohë, duhen dhe struktura qeverisëse që janë efiçente dhe funksionale, që të punojnë për interesat e të gjitha palëve, shumicës dhe pakicave. Prandaj, ajo për të cilën nuk do të angazhohesha, në çdo proces të decentralizimit, është fragmentarizimi i shtrenjtë i strukturave të decentralizuara. Mendoj që mësimi i Bosnjës ka qenë që një decentralizim edhe shumë më i madh mund të ndodhë dhe një fragmentarizim ende shumë më i madh, aq sa mungesa e efikasitetit dhe mungesa e funksionimit bëhet ligj.

RADIO EVROPA E LIRË
Më herët këtë vit, ish sekretari i jashtëm britanik, Jack Straw tha se "pavarësia e Kosovës është pothuajse e pashmangshme". Si e komentoni këtë deklaratë duke pasur parasysh se në atë kohë ai ishte zyrtari i vetëm i lartë që e bëri një deklaratë të tillë?

BRUCE HITCHNER
Mendoj që çdokush që do ta shihte ambientin dhe kushtet e përgjithshme të 10 viteve të fundit do t'a kuptonte që e vetmja e ardhme e mundshme për Kosovën, e ardhmja e vetme e qëndrueshme, është që ta ketë një status sovran, sepse pjesa më e madhe e popullsisë, që në këtë aspekt dallon shumë nga situata në Mal të Zi, pra, pjesa më e madhe e popullsisë preferon një ndarje formale dhe një pavarësi nga Serbia dhe Mali i Zi. Duke pasur parasysh këtë realitet dhe preferencën e fortë të shumicës së popullsisë, duke pasur parasysh se ndonjë alternativë tjetër nuk do të kishte sukses në këtë faze, ish sekretari britanik i Punëve të Jashtme Jack Straw reflekton pa dyshim një ndjenjë të pëgjithshme se ky është i vetmi opsion i mundshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë status sovran. Lidhur me këtë çështje ka shumë diskutime se kush do ta përcaktoj statusin e Kosovës. Kryeministri Agim Çeku ka thënë këtë vendim do ta marrë Këshilli i Sigurimit. Sipas jush, kush përfundimisht do ta caktoj statusin e Kosovës?

BRUCE HITCHNER
Mendoj që bisedimet për çështjen e statusit nuk mund të bëhen apo të përfundojnë pa një marrëveshje me konsensus të të gjitha palëve, që marrin pjesë në këto negociata. Kur them konsensus kam ndërmend një pranim të përgjithshëm se si do të jetë e ardhmja në Kosovë. Asgjë nuk do bëhet në Këshillin e Sigurimit nëse nuk arrihet një lloj marrëveshjeje. Pra në kuptimin absolut, ajo që do të bëjë Këshilli i Sigurimit është ose konfirmimi ose refuzimi i asaj që do të jetë vendosur mbi bazën e negociatave. Pra nuk është rasti për shembull që Këshilli i Sigurimit të vendosë pa e pasur ndonjë bazë se cila do të jetë e ardhmja e Kosovës. E ardhmja e Kosovës do të caktohet përmes negociatave dhe ajo që do të dalë nga këto negociata do të jetë baza e asaj për të cilën do të votoj Këshilli i Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, duket se negociatat dhe qëndrimet e të dy palëve janë shumë larg njëra-tjetrës?

BRUCE HITCHNER
Mendoj që ende jemi në fazat e para të këtij procesi. Nuk mund të flas në detaje, por mendoj se çdokush e pranon se këto bisedime nuk janë bërë ende aq të përqëndruara, të fokusuara dhe të finalizuara se si do të duken gjërat dhe jemi ende në fazën e pozicionimit të palëve. Siç e dini, bisedimet e këtilla shpesh ndodhin në një ambient të konsiderueshëm të qëndrimeve paraprake nga të gjitha palët. Por çështja kryesore është se sa të fokusuar dhe sa efektivë janë vetë negociatorët, në përpjekjet e tyre për ta çuar procesin përpara. Qëndron fakti se është thelbësore që negociatorët ndërkombëtarë të caktuar nga bashkësia ndërkombëtare të ecin përpara me kujdes dhe me efikasitet, për ta bërë këtë proces që të arrijë një përfundim të suksesshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Bashkësia ndërkombëtare po kërkon që statusi i Kosovës të zgjidhet deri në fund të këtij viti. A mendoni se kjo do të arrihet?

BRUCE HITCHNER
Po.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë mënyre?

BRUCE HITCHNER
Ne jemi ende në maj, pra pothuajse 7 muaj përpara përfundimit të vitit. Shumica e pozicioneve të palëve në këtë proces ose janë artikuluar ose janë në fazën e artikulimit përfundimtar. Nuk mendoj se ka ndonjë çështje për të cilën, për një periudhë 7 mujore përmes negociatave intensive dhe të vazhdueshme, nuk mund të arrihet një përfundim apo rezultat për statusin përfundimtar të Kosovës. Është e vërtetë që Evropa, Bashkimi Evropian, është në një fazë të rivlerësimit të situatës së saj të brendshme dhe mendoj që kjo ka një lloj efekti në proces. Megjithatë mendoj se askush nuk do të shohë këtë problem që të zgjatet pafund, pa një zgjidhje. Pavarësisht se ç'mund të ndodhë, procesi i lëvizjes së Kosovës, pavarësisht nga statusi i saj i ardhshëm, drejt Evropës, do të fillojë vetëm pasi të arrihet marrëveshja nga negociatat. Prandaj nuk ka asnjë arsye bindëse për ta shtyrë procesin në këtë fazë dhe arritjen e një marrëveshjeje për statusin përfundimtar më vonë se në fund të këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të doja ti kthehemi sërish Këshillit të Sigurimit pasi, siç thatë edhe ju, në fund të fundit atje do të ketë diskutim për këtë çështje. Anëtarë të Këshillit të Sigurimit, me të drejtë të vetos, janë edhe Rusia dhe Kina. Çfarë poziciconi mund të pritet nga këto vende kur të zhvillohet diskutim përkëtë çështje në Këshillin e Sigurimit?

BRUCE HITCHNER
Është shumë pak e mundshme që ndonjë anëtar i Këshillit të Sigurimit të shkojë në diskutimet për statusin përfundimtar të Kosovës, pa pasur fillimisht një ide se në çfarë drejtimi kanë ecur negociatat, apo se ku kanë arritur negociatat. Pra vendimi nuk do të bëhet në vakuum. Nëse një marrëveshje është arritur para dorëzimit të saj për miratim përfundimtar në Këshillin e Sigurimit, jam i sigurt se negociatorët dhe komuniteti ndërkombëtar, do të vlerësojnë përfundimin e negociatave dhe nuk do të shndërrohen në atë fazë në bllokues të procesit, që do ekzistonte tash nëse do të vihej diçka para Këshillit të Sigurimit në këto momente. Pra, jam optimist se negociatat do të vazhdojnë dhe në kohën që do të duhet të merret vendimi, Këshilli i Sigurimit do të ketë arritur një konsensus të gjerë lidhur me pikëpamjet e tij për procesin.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, nga kjo që thatë mund të kuptohet se ju nuk dëshironi të thoni se Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta imponoj zgjidhjen?

BRUCE HITCHNER
Nuk mendoj se bashkësia ndërkombëtare do të donte, në çfarëdo mënyre, të impononte një zgjidhje. Qëllimi i tyre në negociata është arritja e një zgjidhjeje, që ka parasysh interesat e të gjitha palëve, në një mënyrë që, në mënyrë të mjaftueshme, të jetë e kënaqshme për të gjitha palët. Prandaj imponimi i një zgjidhjeje në Kosovë, nuk do t'u shërbente interesave të asnjërës palë, sepse një zgjidhje e imponuar do të shihej, edhe për ata që le të themi e favorizojnë këtë zgjidhje, do të ishte gjithsesi e imponuar dhe do t'i krijonte probleme edhe kësaj pale. Nëse do ta thosha thjeshtë, është absolutisht thelbësore për suksesin e procesit, për të gjitha palët, që të arrihet një zgjidhje me negociata, në mënyrë që të gjithë të merren vesh për këtë. Komuniteti ndërkombëtar nuk po vepron më në një mënyrë siç e kishte zakon të sillej në fazat e para të konflikteve të Ballkanit. Është e ngadaltë në imponimin e zgjidhjeve. Do të preferonte të arrinte zgjidhje në mënyrë që të arrihej konsensusi nga të gjitha palët. Mendoj që në fund të fundit, negociatat e statusit për të ardhmen e Kosovës, mund të zgjidhen duke i kënaqur të gjitha palët. Kur e them fjalën të kënaqur, nuk mendoj se çdokush duhet të jetë i lumtur me rezultatin përfundimtar, por realiteti është që ka baza shumë të mira për arritjen e një zgjidhjeje të kënaqshme përfundimtare nga negociatat.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG