Ndërlidhjet

RESPEKTIMI I KORNIZËS KUSHTETUESE NUK DUHET TË JETË I VARUR NGA VENDIMET POLITIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Mbajtja e zgjedhjeve të lira nuk mund të lidhet me akte kushtetuese, apo procese të tjera politike, thotë profesori në Universitetin e Prishtinës, nga fusha e çështjeve kushtetuese juridike, Riza Smaka. Ai vlerëson se propozimi për shtyrjen e zgjedhjeve lokale ka të bëjë me vendimet politike, kurse nga aspekti juridik sipas tij duhet të përfillet korniza kushtetuese dhe me të mbaruar të mandatit të institucioneve, zgjedhjet të shpallen. Ndërlidhja e zgjedhjeve me vendimet politike, apo edhe me atë të nxjerrjes së kushtetutës, apo zbatimit të decentralizimit, sipas zotit Smaka nuk qëndrojnë në aspektin e shpjegimeve juridike.
"Isha angazhuar që zgjedhjet të mbahen, pa marrë parasysh se kur pritet statusi, sepse në fund të fundit ky është një prediksion që nuk është i sigurtë se kur do bëhet edhe kushtetuta, sepse ajo është jashtëzakonisht e varur nga statusi. Statusi njëherë dhe pastaj kushtetuta. Kushtetuta është akt më tepër juridik sesa politik."
Në funksion të zbatimit të ligjit dhe ligjshmërisë në Kosovë, duhet të respektohet korniza kushtetuese, duke mos paragjykuar se në të ka mangësi dhe kështu të pritet nxjerrja e akteve më të mira kushtetuese", thotë Riza Smaka. Rrjedhimisht nga kjo, ai vlerëson se institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare duhet të zbatojnë dispozitat e kësaj kornize kushtetuese deri në nxjerrjen e aktit të ri juridik.
"Është një parim i vlefshëm juridik që nga perandoria romake, apo e drejta romake, i cili shkurtimisht thënë është ligj dhe qoftë dhe me defekte, ai do duhej të aplikohej, sepse do të provoheshin më pak defekte në praktikë, sesa sikur të niseshim me paragjykime se ka defekte, ka mangësi, vakuume juridike, apo ka paqartësi etj etj."
Ndërkohë që në vlerësime politike thuhet se shtyrja e zgjedhjeve komunale më shumë mund të ndërlidhet me procesin e decentralizimit, i cili pritet të krijojë dhe efekte të caktuara siç është formimi i komunave të reja, lidhur me vënien e këtyre paraleleve, Riza Smaka mendon se zbatimi i decentralizimit përderisa nuk është përcaktuar rregullimi i pushtetit qëndror, do të ndërlikonte shumë proceset aktuale dhe do të dukej i palogjikshëm.
"Sa i përket decentralizimit kjo është nisur mbrapsht nga presionet politike të qarqeve të ndryshme. Por kjo do të komplikojë gjendjen dhe në aspektin juridik, për të mos folur sa i përket anës organizative, funksionale. Gjithsesi është një akt politik-juridik ligji suprem i shtetit, që me dispozitat e veta kalimtare i rregullon këto gjëra dhe i vë korniza, si me thënë kështu, kushte gjuhëtare dhe ligjore".
Sidoqoftë shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, tashmë ka paralajmëruar shtyrjen e zgjedhjeve lokale. Ndërsa përmendet që shtyrja mund të jetë deri në muajin prill të vitit të ardhshëm, nga partitë opozitare shtrohet dilema se kjo shtyrje mund të jetë për dy vitet e ardhshme.



XS
SM
MD
LG