Ndërlidhjet

AHTISARI: FTOJ SERBËT TË MARRIN PJESË NË INSTITUCIONE


Kryenegociatori Ahtisari vazhdon vizitën në Kosovë

Gjetja e zgjidhjeve për çështjet teknike të diskutuara deri tani në Vjenë do t’i paraprijë tejkalimit të fazës së status kuosë dhe gjetjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës, që do të bazohet në ndërtimin e një shoqërie shumë-etnike, ku të gjithë qytetarët e saj do të gazonin të drejtat e barabarta. Kështu ka thënë sot në Prishtinë, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, presidenti Marti Ahtisari. Këto qëndrime, Ahtisaari i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me delegacionin e Kosovës për statusin. Ai kërkoi gjetjen e zgjidhjeve për çështjet praktike të diskutuara deri tash në Vjenë, duke vënë theks të veçantë në decentralizimin, që sipas tij do të krijonte kushte të mira jetese dhe për pakicat.
“Të gjitha këto zhvillime, siç e kam thënë edhe më parë, kanë të bëjnë me atë që përmes decentralizimit dhe takimeve tjera të krijojmë kushte më të mira jetese për të gjithë, fillimisht për shumicën, por edhe për pakicat gjithashtu”, tha presidenti Ahtisaari.
Ndërkohë, duke folur në emër të delegacionit të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu tha se në këtë takim me Ahtisaarin, është bërë një analizë e takimeve të deritashme në Vjenë. Presidenti Sejdiu shtoi se z.Ahtisaari e ka njoftuar delegacionin kosovar dhe për takimet që ai ka zhvilluar në Rusi e Kinë, dy vende këto me peshë në politikën ndërkombëtare si dhe me qeveritë e vendeve të rajonit. Sejdiu tha se është me rëndësi që procesi i statusit të ecë me sukses dhe ai të përmbyllet sipas parashikimeve gjatë këtij viti:
“Kishim një analizë të përbashkët të të arriturave në Kosovë edhe të punës së EN dhe ekipeve tjera, duke pasur parasysh takimet e Vjenës dhe anagazhimet tjera që po bënë qeveria në përmbushjen e standardeve, si pjesë e fokusimit tonë për të realizuar pjesën e mandatit tonë të brendshëm dhe natyrisht me dëshirë që viti 2006 të jetë përfundim i krejt këtij procesi duke realizuar pavarësinë e plotë të Kosovës”, tha Sejdiu.
Më pas, presidenti Ahtisari ka takuar dhe përfaqësuesit e Listës Serbe. “E shfrytëzoj rastin, që t’i ftoj përfaqësuesit e komunitetit serb që të marrin pjesë në institucione, në qeveri e parlament, sepse kjo është mënyra më e mirë që ata t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre”, theksoi sot Ahtisaari, duke i ftuar serbët që ta pranojnë ofertën e qeverisë sepse ajo sipas tij është në të mirën e tyre.
Kurse përfaqësuesit serbë, thanë se i kanë prezantuar atij pikëpamjet e komunitetit të tyre për statusin dhe çështjet e diskutuara deri më tash në Vjenë. Goran Bogdanoviq tha se i ka shprehur dyshimet e tij para z.Ahtisari lidhur me zotimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e dokumentit 13 pikësh, që Grupi i Kontaktit i ka caktuar Kosovës. Ndërkaq lidhur me kthimin në institucione, Bogdanoviq tha:
“T’ju them sinqerisht, si qëndrojnë tani punët nuk do të kthehemi sigurisht, sepse neve na duhet mbështetja e Beogradit, dhe neve na duhet marrëveshja e të gjithë faktorëve politik në Kosovë, sepse ne edhe ashtu jemi të ndarë, por duam të kemi qëndrim të përbashkët të serbëve të Kosovës për hyrje në institucione”, tha Bogdanoviq.
Gjatë ditës, kryenegociatori Marti Ahtisari ka biseduar dhe me përfaqësuesit e pakicave të tjera dhe përfaqësueset e grave të Kosovës. Nesër ai viziton pjesën veriore të Mitrovicës, kurse për rezultatet e vizitës të filluar qysh të premten, Ahtisaari para largimit nga Kosova do të mbajë dhe një konferencë për media.

Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG