Ndërlidhjet

WEISBRODWEDA:"PASON FAZA TRANZITORE E UNMIK-ut"


Wolfgang WEISBRODWEDA, drejtor për Evropën i operacioneve paqërujtëse të OKB-së

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë faze janë planet për zvogëlimin e UNMIK-ut?

WOLFGANG WEISBRODWEBA
UNMIK-u është një mision tepër i veçantë pasi është një administrim i përkohshëm me një numër kompetencash që duhet t'i ushtrojë deri ditën e fundit.
Ai mund t'ia kalojë shumicën e këtyre kompetencave institucioneve vendore, por përgjegjësia përfundimtare do t'i mbetet UNMIK-ut deri ditën e fundit të misionit të tij. UNMIK-ut i është besuar administrimi i Kosovës dhe zvogëlimi i misionit do ketë kufijë, pasi ne do na duhet të ushtrojmë përgjegjësitë që na i ka dhënë Këshilli i Sigurimit deri në momentin e fundit.
Aktualisht ne jemi duke planifikuar dhe përcaktuar buxhetin për një mision që do jetë në gjendje t'i përmbushë këto detyrime.

RADIO EVROPA E LIRË
A e dini përafërsisht se kur do të jetë dita e fundit e UNMIK-ut?

WOLFGANG WEISBRODWEBA
Mendoj se askush nuk e di këtë, pasi procesi i përcaktimit të statusit ka filluar vetëm pak muaj më parë. Janë zhvilluar takimet e para të ndërmjetësuara nga i dërguari i kreut të Kombeve të Bashkuara, zoti Ahtisari dhe është një proces që po vazhdon. Në këtë kuptim nuk mund të themi se kur do të jetë fundi i procesit dhe me të zgjidhja e problemit. Ajo që mund të theksoj është se në përputhje me rezolutën 1244, që çoi në krijimin e UNMIK-ut, ky mision nuk do të përfundojë ditën që do të nënshkruhet një marrëveshje për statusin e Kosovës.
Kjo lidhet me faktin se rezoluta e përcakton që faza finale e UNMIK-ut do jetë transferimi i kompetencave tek institucionet që do dalin pas zgjidhjes së statusit politik të Kosovës.
Pra do ketë një periudhë tranzicioni pas përcaktimit të statusit dhe zgjedhjes së institucioneve të reja të Kosovës para se misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë të përfundojë. Natyrisht kjo periudhë tranzicioni nuk do jetë shumë e gjatë, por do t'i paraprijë mbylljes përfundimtare të UNMIK-ut.

RADIO EVROPA E LIRË
Në ç'mënyrë do të jenë të pranishme Kombet e Bashkuara në Kosovën e pas statusit?

WOLFGANG WEISBRODWEBA
Siç e thashë dhe më lart pas statusit do të kemi këtë periudhë tranzitore dhe kur kjo periudhë të ketë përfunduar atëherë misioni paqeruajtës do të marrë fund. Natyrisht do ketë prani ndërkombëtare, por ajo nuk do drejtohet nga Kombet e Bashkuara. Sipas të gjitha gjasave kjo prani do drejtohet nga institucionet evropiane, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe natyrisht NATO-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni në komunikim të vazhdueshëm me organizatat që përmendet më sipër. Në çfarë faze është bashkërendimi me këto organizma dhe çfarë përgjegjësish ato kanë pranuar të marrin nga UNMIK-u?

WOLFGANG WEISBRODWEBA
Përfaqësuesi ynë në Kosovë, Soren Jessen Petersen në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti ka filluar t'i sjellë këto organizata në një tryezë të përbashkët. Ata takohen rregullisht çdo dy muaj dhe në mes të këtyre takimeve janë grupet punuese të çështjeve ekonomike, të pakicave, të rendit e me rradhë. Për pasojë kemi disa studime të mira rreth asaj se cilat do jenë sfidat në këtë proces. Por natyrisht kjo nuk është e lehtë pasi prania ndërkombëtare dhe roli i tyre do të përcaktohen nga marrëveshja politike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Nisur nga kjo ajo që mund të bëhet tani është evidentimi i sfidave, por jo dhe të gjejmë zgjidhjet për këto sfida.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka informacione se shefi aktual i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen do largohet së shpejti nga Kosova. A mund t'i konfirmoni këto informacione dhe nëse një gjë e tillë ndodh a do emërohet një shef i ri i UNMIK-ut apo vetëm ushtrues detyre?

WOLFGANG WEISBRODWEBA
Ajo që mund të them është se i kam parë këto raporte. Pjesa tjetër, lidhur me drejtuesin e ardhshëm të UNMIK-ut është hipotetike. Në parim do ketë gjithmonë një të dërguar të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe krejt në fund si do ta vlerësonit misionin e UNMIK-ut, kur dihet që është misioni më i madh dhe më specifik i Kombeve të Bashkuara?

WOLFGANG WEISBRODWEBA
Është një mision i mrekullueshëm. Nëse sillni në mend gjendjen e Kosovës në mes të vitit '99, kur institucionet nuk ekzistonin, kur infrastruktura ishte e shkatërruar dhe shumica e popullsisë jashtë vendit, sot kemi Kuvendin, zgjedhjet për të cilin tashmë janë zhvilluar dy herë, kemi një qeveri koalicioni, kemi pushtetin vendor, është hartuar korniza kushtetuese, kemi një morri ligjesh, kemi një forcë policore relativisht efikase, kemi sistemin e administratës publike e me rradhë. Detyra e UNMIK-ut për të ngritur institucionet e vetadministrimit është arritur në një shkallë të jashtëzakonshme.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG