Ndërlidhjet

SURROI: JESSEN PETERSEN- KOSOVAR I MADH


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Falë angazhimit vetëmohues Soren Jessen Petersen për një periudhë ishte kosovari më i madh, tha sot Veton Surroi, kryetar i partisë Ora, duke e komentuar largimin e shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Soren Jessen Petersen nga posti i tij.
Zoti Surroi i bëri këto vlerësime, pas një takimi që pati me zotin Petersen, duke thënë se ai ka qenë një mik edhe i Kosovës edhe i procesit demokratik, edhe një njeri që me energji të jashtëzakonshme ka fokusuar gjithë aktivitetin e tij drejt një qëllimi, që Kosova të mbërrijë statusin e vet të përhershëm, të hyjë në procesin e negociatave dhe të arrijë aspiratat e qytetarëve të vet.
"Dua t’i falënderohem publikisht për dy vite gati, në të cilat duke lënë anash edhe nevojat familjare edhe angazhimet e tjera, është fokusuar jashtëzakonisht për aq sa për një periudhë bile ka qenë kosovari më i madh", tha zoti Surroi, ndërkohë që këshilltari politik i presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, zoti Muhamet Hamiti tha se zoti Petersen kishte bërë punë të mirë gjatë kësaj kohe dhe shfaqi shpresën se nuk do të krijohej ndonjë vakuum në administratën e UNMIK-ut në këtë kohë të rëndësishme për Kosovën:
"Zoti Petersen ka qenë në Kosovë për një kohë të gjatë, në kohën kur kemi hyrë në fazën, që bashkësia ndërkombëtare e quan të përcaktimit të statusit të Kosovës, që ne i themi faza përmbyllëse e pavarësimit të Kosovës. Ai ka bërë punë të mirë sa ka qenë këtu. I dëshirojmë gjithë të mirat në punët e mëtejshme dhe shpresojmë se kjo nuk do të jetë kohë e ndonjë vakumi edhe në administratën ndërkombëtare," tha Muhamet Hamiti, sipas të cilit duke qenë kjo kohë e përmbylljes së statusit, duhet bërë çmos që punët e drejtimit të Kosovës të kalojnë në duart e kosovarëve, por për këtë fazë është i nevojshëm njeriu që e bën këtë kalim.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me zotin Petersen, tha se nuk ishte diskutuar kjo çështje, por spektri politik kosovar do të vazhdonte bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare:
"Ne nuk diskutuam për një çështje të tillë, por natyrisht se bashkëpunimi do të kultivohet me autoritetet ndërkombëtare në Kosovë dhe spektrin politik kosovar."
Udhëheqësit e partive politike dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovë përgjithësisht e kanë vlerësuar lart rolin e zotit Jessen Petersen për përshpejtimin e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës, ndërkohë që kanë shfaqur shpresën se procesi i statusit do të vazhdojë me dinamikën e tashme.

XS
SM
MD
LG