Ndërlidhjet

JESSEN PETERSEN LARGOHET NGA DETYRA NË FUND TË MUAJIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen ka konfirmuar sot se që nga fundi i qershorit, do të largohet nga misioni në Kosovë.
“Pas gati dy vjet pune në Kosovë, tani është koha t’i bashkohem familjes sime në Uashington D.C”, ka thënë Jessen Petersen.
“Fati i Kosovës është i qartë. Ndërkaq kursi i saj drejt një shoqërie demokratike dhe shumë-etnike më shumë se kurdoherë është në duart e mira të njerëzve dhe udhëheqësve politikë të zgjedhur të Kosovës”, tha Jessen-Petersen, duke besuar se Kosova do të ketë në këtë rrugë dhe mbështetjen e UNMIK-ut dhe KFOR-it. Gjatë një konference për media, Petersen u ka dërguar mesazhe liderëve kosovarë, që të vazhdojnë punën deri në realizimin e ëndrrës së madhe të Kosovës:
“Mesazhi dhe thirrja ime për lidershipin kosovar është që ata të vazhdojnë të punojnë dhe të mos ndalen për të realizuar ëndrrën e Kosovës dhe të gjithë e dimë se cila është kjo ëndërr, por unë këtu nuk dua ta përmend atë”, tha Jessen Petersen.
"Kur pata filluar misionin në Kosovë kisha bindjen se nuk do të ketë stabilitet në Ballkanin perëndimor, përderisa çështja e Kosovës të mos zgjidhet. Kurse me kalimin e kohës, kjo bindje ishte më se e vërtetë," tha Petersen, duke besuar se me zgjidhjen e statusit do të përfitojnë jo vetëm kosovarët, por edhe qytetarët e mbarë rajonit.
Ai tha se do t’ishte shumë i lumtur sikur të ishte kryeadministratori i fundit ndërkombëtar i Kosovës, por sidoqoftë, shtoi Petersen, me hapjen e procesit të negociatave për statusin e Kosovës, tani rruga është e hapur që UNMIK-u të largohet gjithashtu:
“Mendoj se mund të them se unë e kam hapur kapitullin e fundit dhe tani pasuesi im e ka të hapur rrugën që ta mbyllë këtë kapitull”, tha Petersen. Kombet e Bashkuara shtoi ai, nuk do të lejojnë vakuum dhe do të caktojnë shumë shpejt pas qershorit pasardhësin e tij në postin e shefit të UNMIK-ut, kurse deri atëherë, zëvendësi i tij i parë, amerikani Steeven Shook do të jetë ushtrues detyre.
Petersen tha se dëshironte të sqaronte se nuk bëhej fjalë për shkarkim, por për largimin e tij nga misioni në Kosovë. Ai tha po ashtu se largimi i tij nuk mund të ndërlidhet me deklaratat e fundit të Karla del Pontes, pasi që Tribunali i Hagës, theksoi Petersen, ka konstatuar se UNMIK-u ka bashkëpunuar ngushtë me Hagën, kurse deklaratat e prokurorëve janë diçka tjetër. Çdo paralele që i bëhet largimit tim me deklaratat e del Pontes, për mua janë vetëm spekulime, theksoi Petersen.
Jessen Petersen ka filluar misionin e tij në Kosovë më 15 gusht të vitit 2004. Në kohën e misionit të tij, Kombet e Bashkuara aprovuan raportin pozitiv të përmbushjes së standardeve duke i hapur dhe rrugën procesit të negociatave për statusin e Kosovës, proces ky që është në vazhdim e sipër. Jessen Petersen pritet që si obligim të fundit të këtij misioni, të ketë dhe raportimin e tij më 20 qershor para Këshillit të Sigurimit lidhur me përparimet e bëra në Kosovë.




Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG