Ndërlidhjet

FMN: 2007 VIT I VËSHTIRË EKONOMIK PËR KOSOVËN


Albana Isufi, Prishtinë

Kosova në 2007-tën do të ballafaqohet me një vit shumë të vështirë ekonomik. Ky është përfundimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit në vështirësimin e gjendjes do të ndikojë largimi i administratës ndërkombëtare, e cila për një vit shpenzon në Kosovë 200 milionë euro.
Institucionet nuk do të kenë rezerva buxhetore për të mbuluar deficitin buxhetor, që si këtë vit edhe në vitin 2007, parashihet të jetë 70 milionë euro, përderisa suficiti i mbetur nga vitet e mëparshme do të shpenzohet në tërësi.
Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkoëmbëtar në Kosovë Marc Aboin, ka paraqitur sot një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që parasheh zhvillimin ekonomik të Kosovës për 2007-tën.
“Viti i ardhshëm do të jetë një vit i vështirë, donatorët kanë premtuar se do të ndihmojnë financimin e deficitit buxhetor për vitin e ardhshëm, por edhe për vitet e tjera, por kjo ka koston e vet, që është përcaktimi i politikave më të mira dhe përdorimi më i mirë i financave publike. Posaçërisht, duke marrë parasysh sfidat e reja pas statusit dhe kostot që rrjedhin nga sqarimi i statusit”, thotë Aboin.
Buxheti për vitin 2007 parashihet te jetë 630 milionë euro. Donatorët nga Bashkimi Evropian kanë premtuar se do të dhurojnë 55 milionë euro, për të financuar deficitin buxhetor. Marc Aboin thotë se do të jetë shumë e vështirë për institucionet, që me këtë buxhet të mbulojnë të gjtha shpenzimet, të cilat do të shtohen shumë pas sqarimit të statusit politik.
“Buxheti prej 690 milion eurosh do të jetë vështirë të arrihet, për shkak të sfidave të pas statusit, me transferimin e kompetencave si në privatizim, auditor gjeneral dhe fusha të tjera, do të rriten edhe shpenzimet për institucionet e Kosovës. Problemi tjetër i madh do të jetë borxhi i trashëguar, nuk e dimë sa i madh është borxhi i Kosovës, por e dimë se bashkësia ndërkombëtare pret që Kosova ta paguajë borxhin e vet dhe kjo është pjesë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa donatorët 55 milionë euro i do t’i japin për tërë vitin 2007, kështu që nuk priten donacione për shpenzime shtese”, thotë Marc Aboin.
Ajo që institucioneve të Kosovës i mbetet, është që të ulin deri në maksimum shpenzimet e parave publike. Një nga to është ulja për 10 përqind e të punësuarve në sektorin publik, rishikimi i skemës sociale dhe asaj pensionale, si dhe ulja e shpenzimeve të qeveritarëve.
“Qeveria duhet të shfrytëzojë me efikasitet çdo euro të grumbulluar dhe kjo nënkupton më pak vetura luksoze, e më pak telefona”, thotë Marc Aboin, i cili përjashton mundësinë e rritjes së të hyrave për vitin 2007, pasi që nga vitet paraprake është parë se buxheti i Kosovës nuk mund të grumbullojë më shumë se mbi 600 milionë euro.

XS
SM
MD
LG