Ndërlidhjet

SYNONIN PENGIMIN E VIZITËS SË KOSHTUNICËS, ARRESTOHEN 116 VETA


Albana Isufi, Prishtinë

Shërbimi Policor i Kosovës në dy ndërhyrje të ndara ka arrestuar 116 pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, pjesëtarë të Lëvijes Popullore të Kosovës, si dhe qytetarë, të cilët kishin bllokuar rrugët me qëllim të pengimit të hyrjes në Kosovë të kryeministrit serb. Vojisllav Koshtunica, është thënë se në Kosovë qëndron në vizitë private, vizitë kjo, që përkon me 617 vjetorin e Betejës së Kosovës, si dhe me festën tradicionale të ashtuquajtur Vidovdan.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe kryetari i LPK-së, njëherësh deputeti i Kuvendit të Kosovës, Emrush Xhemajli.
Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani tha se aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin bllokuar rrugët në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë dhe në vendkalimin kufitar të Merdares.
“Bllokim të rrugës në fillim kemi pasur në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, afër hotelit “Palace”, me atë rast policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar 31 persona, ndërsa më vonë rreth orës 12 edhe në portën nr. 3 apo në Merdare, policia ka ndërhyrë përsëri dhe me këtë rast janë arrestuar 85 persona”.
Aktivisti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca, i tha Radios Evropa e Lirë se Vetëvendosja kishte vendosur të bllokojë rrugët, pasi që ardhjen e Koshtunicës dhe delegacioneve të tjera serbe ne Kosovë, e sheh si njërin ndër skenarët më provokativë ndaj popullit të Kosovës.
“Data që e kanë zgjedhur këto delegacione, mënyra e ardhjes së tyre dhe drejtimet, tregojnë për një gjë shumë të patolerueshme për popullin e Kosovës. Faktikisht, po vjen kryeministri i një shteti, që vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë ka vrarë 14 mijë njerëz, ka rrëmbyer 3 mijë, ka dhunuar 20 mijë femra dhe ka shkatërruar 120 mijë shtëpi. Por, për të gjitha këto gjëra, ende nuk ka ndonjë pendesë apo keqardhje institucionale në Serbi, për këto gjëra që i ka bërë Serbia në Kosovë”.
Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i LPK-së Gafurr Elshani, e vlerësoi arrestimin e kryetarit të kësaj partie Emrush Xhemajlit, si një ndërhyrje politike.
“Vizita ( e Koshtunicës) ishte një provokim, ndërsa arrestimet janë ndërhyrje politike, me qëllime politike. Ne kemi protestuar si LPK dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetit dhe të gjithë veprimtarëve. Emrush Xhemajli është arrestuar përkundër imunitetit si deputet dhe parlamenti duhet të reagojë lidhur me këtë”.
Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës Veton Elshani, thotë se megjithë masat e shtuara, gjendja e sigurisë mbetet e qetë.
Ndërkohë, që delegacioni i kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica është përcjellë nga patrullat e përbashkëta të policisë së UNMIK-ut dhe SHPK-së.
“Ne e kemi sigurinë e rreptë, në planin operativ siguria e rreptë, që gjindet në fazën e tretë dhe në përgjithësi situata është e qetë. Lidhur me vizitën e personalitetit Koshtunica, që vjen sot në Kosovë, ne kemi punuar planin operativ që udhëhiqet nga SHPK dhe është në mbështetje nga UNMIK-u e KFOR-i”.
Elshani i quajti këto masa të zakonshme të sigurisë që përdoren me rastin e ardhjes së ndonjë personaliteti të lartë.
XS
SM
MD
LG