Ndërlidhjet

ITALIA TRIUMFOI NË KAMPIONATIN BOTËROR TË FUTBOLLIT


Në mbarë Italinë është festuar me këngë dhe fishekzjarre fitorja e Italisë në Kampionatin Botëror të Futbollit në Gjermani.
Italia mundi Francën me rezultatin 5:3, pas ekzekutimit të penaltive, pasi në kohën e rregullt dhe pas lojës shtesë, rezultati ishte i barabartë 1:1.
Në Romë qindra simpatizues të zëshëm u tubuan në qendër duke valëvitur 4 flamuj italianë. Skena të tilla të ngjashme të entuziazmit u panë në mbarë Italinë.
Kjo fitore mund ta ulë dhembjen lidhur me procesin gjyqësor për skandalin e kurdisjes së rezultateve, që ka dëmtuar rëndë famën e disa klubeve më të mira të Italisë.
Në Francë, kishte pikëllim edhe për të adhuruarin e tyre dhe kapitenin Zinedine Zidane, që u përjashtua nga loja me karton të kuq, disa minuta pasi filloi vazhdimi i dytë.
Zizu, siç i thonë simpatizuesit francezë, e goditi me kokë në gjoks mbrojtësin italian, Marko Materaci pasi, siç dukej, italiani i tha diçka Zidanit. Por, mbetet mister se çka tha Materaci që e provokoi kapitetin francez.
Megjithëse jokorrekte, duket se, pas 108 ndeshjeve ndërkombëtare dhe 31 golave që i dha për Francën, ai do të mbahet përgjithmonë në mend për këtë përfundim të dhembshëm të karrierës, që me gjasë Francës i kushtoi me disfatë.
Simpatizuesit e tij mund të kenë arsyetim nga e dhëna se ai u shpall lojtari më i mirë i kampionatit nga ana e gazetarëve të sportit, para italianëve Fabio Kanavaro dhe Andrea Pirlo.
Kështu Zinedin Zidane mori topin e artë në anketën që e organizoi Federata ndërkombëtare e Futbollit, e njohur si FIFA.
Në qytetin e tij të lindjes në Marsejë, Zinedin Zidane – Zizu, do të mbetet hero i qytetit, e veçanërisht në lagjen e varfër të imigrantëve La Castellane, ku simpatizuesit e tij ishin tubuar për nder të tij:
Një banor i kësaj lagjeje shpjegon ndjenjat e tij:
"Ne të gjithë jemi të rritur, por ne të gjithë ende jemi fëmijët e Zidanes. Ai është idoli ynë, babai ynë i futbollit dhe ne i urojmë atij të gjitha të mirat", tha ky simpatizues i futbollit.
Futbolli, natyrisht, është pasion global. Dashuria për lojën i kalon të gjitha barrierat etnike dhe kombëtare.
Pos, Italisë, fituesi më i madh i Kampionatit Botëror ishte vendi mikpritës, Gjermania.
Shqetësimet për incidente të terrorizmit dhe të dhunës nga huliganët e futbollit, asnjëherë nuk u materializuan, në sajë të organizimit të mirë dhe të punës së policisë. Përkundër masave të mëdha të sigurisë, simpatizuesit lavdëruan Gjermaninë për organizimin e Kampionatit Botëror në një atmosferë të relaksuar.
Shtypi bulevardesk britanik, zakonisht përplot me fyerje dhe aludime lidhur me Luftën e Dytë Botërore, ka shprehur habi për efikasitetin dhe miqësinë e gjithë kësaj ngjarjeje të madhe sportive. Ky shtyp në tërësi ishte shumë zemërgjërë në lavdërimet për vendin mikpritës të kampionatit.
Mikpritjen e vendit të tij e theksoi edhe presidenti i Gjermanisë, Horst Këler:
"Shumë vizitorë të jashtëm dhe ata që e ndoqën kampionatin përmes ekraneve të tyre, Gjermaninë e kanë parë si vend të lumtur, të sigurtë dhe mikpritës", tha presidenti Gjermanisë, Këler.
Por, sa u përket referëve, që treguan numër rekord të kartonëve të kuq dhe të verdhë gjatë turneut, dhe që u fajësuan nga shumë simpatizues për vendime të dyshimta, ka shumë më pak unitet.
Kampionati i ardhshëm mbahet në vitin 2010 në Afrikën Jugore.
XS
SM
MD
LG