Ndërlidhjet

PRESIDENTI SEJDIU MERR MBËSHTETJEN E EKIPIT NEGOCIUES PARA TAKIMIT TË KS-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nga Këshilli i Sigurimit do të kërkojmë mbështetje për pavarësinë e Kosovës, tha sot presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, pas një takimi me ekipin negociues të Kosovës, nga i cili ka marrë mbështetje para udhëtimit të tij për Nju Jork, ku të enjten do të flasë para Këshillit të Sigurimit për të arriturat dhe për vizionin e Kosovës për të ardhmen, siç u shpreh presidenti Sejdiu.
"Mund të them se është një mbështetje e fuqishme që jepet nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve dhe të opozitës, pjesëmarrës të përbashkët në ekipin e unitetit në këtë rrugë që kam me ftesë të Këshillit të Sigurimit, për të plasuar qëndrimin tonë, për të plasuar të gjitha të arriturat që Kosova ka bërë dhe për të plasuar vizionin tonë për zhvillimet e mëtejshme."
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, që është zyrtari i parë i Kosovës do të flasë në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit, tha se atje shkon me kërkesa të qarta për të këtë forum të lartë të Kombeve të Bashkuara:
"Do të kërkoj që Këshilli i Sigurimit me mundësinë e vet të përkrahë gjithë këto procese që janë zhvilluar në Kosovë, që është krijuar vërtet një distancë e jashtëzakonshme pozitive e të arriturave dhe natyrisht kërkoj të mbështesë pavarësinë e Kosovës, kjo është esenca".
Sidoqoftë, presidenti Sejdiu tha se shkuarja në Nju Jork dhe mënyra e organizimit të kësaj mbledhjeje dhe aktivitetet që do të zhvillohen atje nuk mund të konsiderohen si hyrje në negociata për statusin e Kosovës. Presidenti i Kosovës tha se institucionet e kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre:
"Ne kemi një formulë shumë të qartë – atë formulë që është vendosur edhe në nivelet më të larta institucionale të Kosovës, se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme tërësisht dhe ne kemi një qëndrim të palëkundur në këtë drejtim," tha presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, duke mohuar që të ketë ndonjë ftesë për takime me zyrtarë të Serbisë në Nju Jork. Këto janë më shumë fjalë, ndërsa ftesë zyrtare nuk kemi, tha presidenti Fatmir Sejdiu.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG