Ndërlidhjet

BEJRUT


Kanë vazhduar sulmet e Hezbullahut me raketa në veri të Izraelit, ku për pasojë një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur. Raketat gjatë ditës kanë qëlluar sërish qytetin e Haifës, derisa viktimat u shënuan në qytetin e Naharijas.
Izraeli edhe sot ka vazhduar sulmet ajrore ku për pasojë gjetën vdekjen së paku 11 civilë në jug të Libanit dhe nëntë ushtarë libanezë pranë Bejrutit. Nga sulmet ajrore izraelite është goditur dhe një automjet me ndihma mjekësore nga Emiratet e Bashkuara Arabe që synonte të ndihmonte civilët në zonat e prekura nga konflikti. Deri tani nga sulmet izraelite janë vrarë 215 njerëz në Liban derisa nga raketat e Hezbullahut janë vrarë 25 persona në Izrael.
Kryeministri libanez, Fuad Siniora ka dënuar sulmet izraelite ndaj Libanit dhe ka kërkuar nga Hezbullahu të lirojë dy ushtarët izraelitë të rrëmbyer ditë më parë. "Izraeli po i hap derën ferrit dhe çmendurisë" vlerësoi Siniora gjatë një interviste me mediat britanike. Ai shtoi se dëmet e shkaktuara nga sulmet izraelite shkojnë në miliarda dollarë.
Ndërkaq po vazhdon largimi masiv i shtetasve të huaj nga Libani.
Kombet e Bashkuara po tërheqin atë pjesë të ekipit të tyre në Liban që është cilësuar jo thelbësor.
Ministri i jashtëm australian Aleksandër Douner tha se Izraeli ka hedhur poshtë kërkesën për një armëpushim të shkurtër në mënyrë që të mundësohet largimi i shtetasve të huaj nga Libani.
XS
SM
MD
LG