Ndërlidhjet

ZGJIDHJA BALLKANIKE


Wall Street Journal

Në takimin e djeshëm të Vjenës kosovarët e kanë bërë të qartë se synimi i tyre është pavarësia. Këtë kërkesë e ka kundërshtuar kryeministri serb Vojisllav Koshtunica. Ai duhet të marrë përgjigje të qartë nga bashkësia ndërkombëtare se Serbia mund të zgjedhë mes të kaluarës ose të ardhmes dhe nuk do t'i ketë të dyja.

Koshtunica është duke përçuar mesazhin e Sllobodan Millosheviçit, sipas të cilit Kosova duhet të mbetet krahinë e Serbisë. Por Millosheviçi ka vdekur ndërsa historia nuk mund të kthehet prapa tek viti 1999 dhe rrjedhimisht Serbia do duhet të pranojë konsensusin ndërkombëtar për statusin përfundimtar të Kosovës. Lideri aktual serb duhet të dëgjojë mesazhin se nëse vazhdon të mbështesë mesazhin e Millosheviçit, ai dhe vendi i tij do të izolohen nga bashkësia ndërkombëtare.

Nga ana tjetër qeveria e Kosovës ka bërë përparim të mjaftueshëm në jetësimin e standardeve të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit për të marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit për statusin përfundimtar. Kuptohet shqiptarët e Kosovës mund të ndihmojnë akoma çështjen e tyre, nëse do të bënin më shumë në planin e decentralizimit, kthimin e të zhvendosurve dhe mbrojtjen e manastireve.

Do të ishte mirë, ndonëse askush nuk pret një gjë të tillë, nëse Vojisllav Koshtunica do t'i jepte mbështetje shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Mund të jetë një gjë e vështirë në planin emocional dhe politik, por përvoja e viteve të kaluara ka treguar se çdo gjë më pak se pavarësia është e pa pranueshme për popullin e Kosovës.

Sidoqoftë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, pritet të mbështesin propozimin përfundimtar të Marti Ahtisarit në fund të këtij viti. Dhe gati me siguri do të jetë pavarësi me prani të vazhduar të NATO-s, dhe garanca ndërkombëtare për pakicën serbe. Megjithë kundërshtimin e Koshtunicës, Këshilli i Sigurimit do të miratojë këtë propozim.

Nga ana tjetër, veprimet në veri të Kosovës shkojnë më lart se rezistenca pasive. Serbia ka obliguar serbët të bojkotojnë qeverinë në Prishtinë, financon strukturat paralele, përmes të cilave komunat veriore kanë filluar të formojnë forcat paramilitare dhe mban policë në Kosovë, në kundërshtim me rezolutën 1244.

Separatizmi i Beogradit synon të parashtrojë ndarjen si gjendje de facto, megjithë parimet e Grupit të Kontaktit me një Kosovë unike dhe multietnike, pa ndryshim kufijsh dhe kthim në gjendjen e vitit '99. Bashkësia ndërkombëtare duhet t'ua bëjë të qartë liderëve të Beogradit se taktikat obstruksioniste janë të papranueshme dhe se forcat e NATO-s, do të mbeten në Kosovë për të garantuar epilogun e statusit përfundimtar, bashkë me monitorimin ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Serbia do ta ketë më mirë në Evropë dhe duke jetuar në paqe me Kosovën, sesa të nxitë serbët e Kosovës të sfidojnë epilogun e statusit përfundimtar.

Mesazhi i botës drejtuar zotit Koshtunica duhet të jetë shumë i thjeshtë: "Zgjidhni të ardhmen dhe lejoni Serbinë dhe Kosovën t'i bashkohen Evropës".


XS
SM
MD
LG