Ndërlidhjet

KAIDANOW: PRISHTINA DHE BEOGRADI TË KRIJOJNË HAPËSIRË PËR KOMPROMIS NË BISEDIMET TEKNIKE


Albana Isufi, Prishtinë

Shefja e re e zyrës amerikane në Kosovë Tina Kaidanow ka kërkuar që edhe Prishtina edhe Beogradi të krijojnë hapësirë për kompromis në bisedimet teknike të javëve të ardhshme që priten të jenë intensive.
Ajo i ka bërë këto komente pas takimit të parë zyrtar me kryeministrin Agim Çeku, përderisa ky i fundit ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të jenë të përfshira në procesin për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ai tha se qeveria do të punojë në rritjen e bashkëpunimit me zyrën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

“Më gëzon fakti që zonja Kaidanow është e gatshme që zyra amerikane të mbetet e përfshirë në procese dhe t'i mbështetë ato, duke luajtur një rol aktiv në procesin nëpër të cilin po kalon Kosova", tha kryeministri Çeku.

Zonja Kaidanow ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Kosovën në shumë aspekte, e veçanërisht në procesin e zgjidhjes së statusit. Në këtë rrafsh, me qëllim të arritjes së marrëveshjeve për çështje teknike mes dy palëve, Kaidanow kërkoi më shumë fleksibilitet.

“Të dy palët duhet të punojnë shumë për të gjetur hapësirë për kompromis. Shpresoj se edhe ekipi i Beogradit do ta bëjë këtë, por është e qartë se me rëndësi është, që secili të tregojë sa më shumë fleksibilitet”, tha Kaidanow, për të shtuar se edhe në fushën e përmbushjes së standardeve nga ana e kosovarëve duhet bërë edhe më shumë.

“Ka pasur progres të mirë në standarde, por, gjithmonë ka ende për t’u bërë. Ne do të vazhdojmë që të punojmë edhe më tej dhe të përkrahim kryeministrin dhe tërë qeverinë në përmbushjen e standardeve”, tha Kaidanow, e cila në këtë post zëvendëson Philip Goldbergun.

Shefja e re e zyrës amerikane ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me paraqitjen e shqiptarëve të Kosovës në takimin e parë të nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit që u mbajt më 24 korrik në Vjenë.

Ndërkohë, javët e ardhshme deri në mesin e shtatorit janë paralajmëruar si më intensivet, ku nga Prishtina dhe Beogradi do kërkohet që të dakordohen për çështjet teknike. Kjo gjë u kërkua edhe javën e kaluar nga i dërguari amerikan për statusin Frank Wisner.
Kryeministri Çeku thotë se pala kosovare do të fokusohet, që për çështje të caktuara të ketë pajtimin me zyrën e të dërguarit të OKB-së për statusin Marti Ahtisarit.

“Ne besojmë se do të arrijmë një marrëveshje me zyrën e zotit Ahtisari dhe ekipin e tij. Nuk jemi shumë larg me kërkesat e zotit Ahtisari, por gjithashtu jemi shumë larg me qëndrimet e palës serbe në këtë drejtim. Por ne brengosemi që të jemi sa më konstruktiv me zotin Ahtisari, me ekipin e tij apo UNOSEK-un si e quajmë ne. Besoj se gjatë këtyre 6 javëve do të arrijmë progres në këtë drejtim dhe do t'i përafrojmë qëndrimet tona me Ahtisarin", tha kryeministri Agim Çeku.

Shefja e zyrës amerikane në Kosovë ka takuar sot edhe liderin e partisë Ora, Veton Surroi, me të cilin ka biseduar rreth domosdoshmërisë së arritjes së një progresi në këtë periudhë, pasi siç e ka quajtur ajo, kjo është një kohë shumë e rëndësishme për Kosovën dhe popullin e saj.

Ndërsa lideri opozitar Veton Surroi ka quajtur lajm të mirë ardhjen e zonjes Kaidanow në Kosovë, pasi ajo ishte e përfshirë edhe në periudhën më dramatike të Kosovës para konferencës së Rambujesë.

“Biseduam për mënyrën se si duhet avancuar në çështjet e statusit në muajt e ardhshëm, se si duhet mbajtur uniteti brenda ekipit tonë dhe se si duhet krijuar dhe vazhduar të krijojmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare për atë që do të jetë periudha pas-statusore”.

Surroi tha ta ketë njoftuar zonjën Kaidanow edhe me çështjet që kanë të bëjë me Këshillin Konsultativ të Komuniteteve, si dhe gatishmërinë e delegacionit të Prishtinës që të pranojë të takohet rreth çështjes së mbrojtjes së minoritetve, kur kjo të caktohet nga zyra e UNOSEK-ut në Vjenë.

XS
SM
MD
LG