Ndërlidhjet

PRISHTINË: EKIPI NEGOCIATOR MBRON POZICIONIN E DERITASHËM RRETH DECENTRALIZIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Delegacioni i Kosovës për statusin ka përcaktuar sot pozicionin që do të mbajë lidhur me decentralizimin dhe të drejtat e komuniteteve pakicë, gjatë takimeve me ekipet e ekspertëve nga zyra e kryenegociatorit Marti Ahtisari.

Para se të hyjnë në takimin me ekipin e Ahtisarit lidhur me decentralizimin, delegacioni i Kosovës ka rrumbullakësuar përgjigjet në pyetësorët e Ahtisarit lidhur me komunat e reja, kompetencat e tyre në fushat e drejtësisë, policisë, shëndetësisë dhe në arsim, si dhe lidhur me zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës dhe veriut të Kosovës.

Zëdhënësi i ekipit negociues Skënder Hyseni, tha se pala kosovare kryesisht ka mbajtur qëndrime të prezantuara më herët, duke ofruar formulën 5+1 komuna të reja për serbët si dhe formimin e dy komunave në qytetin e Mitrovicës.

"Gjithë pakoja e decentralizimit është në rishqyrtim, është në ribërje. Nuk do ta quaja domosdoshmërisht ndryshim ose jondryshim. Ka kërkesa për shembull që Graçanicës t'i shtohen edhe dy tre zona katastrale, që kryesisht, për të mos thënë 100 përqind, janë të populluara me popullatë serbe. Natyrisht ne këtë do ta shqyrtojmë përsëri me ekipin e Ahtisarit sot, do ta shohim përsëri sa është racionale kjo kërkesë. Ajo që ka rëndësi është që numri i komunave mbetet i njëjtë dhe ato komuna mundësisht do të jenë funksionale", tha zoti Hyseni.

Zëdhënësi Skënder Hyseni tha po ashtu se pala kosovare nuk parasheh zbatimin e decentralizimit asimetrik, por do të ketë kompetenca të shtuara për disa komuna dhe jo për të gjitha. Decentralizimi asimetrik do të paraqiste një nivel të tretë të qeverisjes dhe kjo kurrsesi nuk pranohet nga delegacioni i Prishtinës, ka thënë Hyseni.

"Nuk do të ketë decentralizim asimetrik. Do të ketë kompetenca të shtuara për disa komuna, për shembull shërbimet sekondare shëndetësore nuk do t'i kenë të gjitha komunat me shumicë serbe, as të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Kompetenca në shërbime shëndetësore sekondare do të ketë një numër komunash dhe këto do të përmenden në mënyrë taksative. Për shembull do të thuhet se Mitrovica mund të ketë një spital, por nuk do të thuhet komunat serbe do të kenë spital; do të thuhet Gjakova do të ketë një spital, por s'do të thuhet që të gjitha komunat me shumicë serbe do të kenë një spital", tha Hyseni.

Pas takimit që delegacioni kosovar zhvilloi me ekipet e veta të ekspertëve, më pas filloi dhe takimi me ekipin e Ahtisarit.
Hyseni tha se pritet që në këtë takim të gjenden zgjidhjet për decentralizimin, por nëse ka vështirësi, atëhere sipas tij, të mërkurën do të kërkohet harmonizimi i qëndrimeve midis Prishtinës dhe vetë zotit Ahtisari, i cili mbërrin në Prishtinë nesër në mbrëmje.

Procesi i decentralizimit parashikohet të zbatohet pas përcaktimit të statusit, ose me kalimin e tre viteve të para të tij, sipas zëdhënësit Hyseni është paraparë edhe një mision verifikues për të vërtetuar se sa është treguar i suksesshëm.

Ndërsa për decentralizimin po bisedohet sot, delegacioni kosovar zhvillon nesër edhe një takim tjetër me ekipet e ekspertëve të UNOSEK-ut, por nesër temë diskutimi do të jenë të drejtat e pakicave pas statusit të Kosovës.



Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG