Ndërlidhjet

ÇEKU: SITUATA E MENINGJITIT ËSHTË NËN KONTROLL


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Nga fundi i javës numri i pacientëve të prekur nga sëmundja e meningjitit ka filluar të zvogëlohet.
Qëndrën Klinike Universitare e ka vizituar sot kryeministri i Kosovës Agim Çeku, i cili ka thënë se epidemia e fundit e meningjitit nuk është e panjohur për kosovarët, duke marrë parasysh raste të tilla në të kaluarën. Në vitin 2000 janë shënuar 645 raste me meningjit. Në vitin 2001 509 raste, kurse këtë vit 430 raste.

"U sigurova nga drejtuesit e qëndrës klinike universitare, që situata është plotësisht nën kontroll. Klinika infektive i ka kapacitetet e mjaftueshme si në personelin mjekësor, ashtu dhe në medikamente, që ta trajtojë këtë epidemi", tha Agim Çeku.

Kryeministri tha se janë dhënë mjete financiare aq sa janë kërkuar dhe është marrë njoftimi se institucionet shëndetësore kanë kapacitetet e tyre që të përballojnë këtë situatë.

"Ne kemi dhënë mjete aq sa është kërkuar. Ato janë pak, por aq janë kërkuar, pasi edhe klinika ka kapacitet që ta përballojë. Kemi ndarë 5000 euro për barna dhe 5000 euro për fushatën e vetëdijësimit. Kështu që epidemia nuk pret, por ne e presim epideminë me plot sukses", tha kryeministri Çeku.

Muharrem Bajrami, drejtor i Klinikës Infektive në Qëndrën Klinike Universitare, ka thënë se situata me këtë epidemi ka qenë klinikisht e menaxhuar mirë, megjithtë faktin se numri i pacientëve ka arritur në 430.

"Dy herët e fundit që kemi patur nevojë Qëndra Klinike na ka dalë në ndihmë. Dje kemi marë kontigjentin e fundit. Unë besoj se ato sasi që i kemi marrë dje, i kemi të mjaftueshme deri në fundin e vitit", tha zoti Bajrami.

Ndryshe, epidemia e meningjitit është përhapur më shumë në viset rurale dhe vendi më i prekur ka qenë Vushtria. Zyrtarët e shëndetësisë kanë thënë se shkaktari kryesor i kësaj epidemie është uji i papastër që përdoret si ujë i pishëm dhe pishinat e shumta, të cilat nuk kanë licencë veprimi.
XS
SM
MD
LG