Ndërlidhjet

PRISHTINA DHE BEOGRADI DO TAKOHEN SËRISHT NË VJENË PËR ÇËSHTJE TEKNIKE


Albana Isufi, Prishtinë

Zyra e Marti Ahtisarit ne Vjenë synon që të mbajë të paktën edhe një raund bisedimesh deri ne mesin e shtatorit, datë kjo kur pritet që kryenegociatori ndërkombëtar të paraqesë pakon e propozimeve për statusin e Kosovës.

“Ne kemi në mendje një tjetër takim, i cili do të përfshinte tre çështje: decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe atë të drejtave te komuniteteve. Tash për tash nuk kemi data të sakta se kur do të mbahen takimet në fjalë pasi që është duke u përgatitur dërgimi i ftesave palëve negociuese”, tha zëdhënësja e zyrës së Ahtisarit Hua Jiang.

Ndërkohë, para mbajtjes së këtij takimi, pritet që në Beograd të qëndrojnë ekspertët e zyrës së të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

“Ne do t’i dërgojmë ekspertët në Beograd pasi që ata kanë vizituar Prishtinën dhe nesër shkojnë në Beograd për të diskutuar çështjet e ekonomisë. Ndërsa në ditët e ardhshme ekspertët do të udhëtojnë në Beograd për të diskutuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe decentralizimin dhe po ashtu edhe të drejtat e pakicave”, tha Hua Jiang, e cila konsideron se nga takimet e deritashme mes Prishtinës dhe Beogradit, edhe pse nuk është arritur ndonjë marrëveshje, të paktën është ngushtuar hendeku mes palëve.

“Deri tash ka pasur progres dhe hendeku po ngushtohet dhe ky është qëllimi që përmes këtyre takimeve të ngushtohet edhe më tej hendeku mes palëve negociuese. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri sa të shohim se ekzistojnë mundësitë që të ngushtohet hendeku. Kjo është ajo që duam ta bëjmë në takimet e ardhshme”, tha Hua Jiang, e cila thotë se kërkesat e zyrës së Ahtisarit për palët negociuese vazhdojnë të mbesin të njëjta.

“Atë çka kemi kërkuar nga të dyja palët ka qenë e njëjtë që nga fillimi i negociatave, fleksibiliteti dhe kompromisi dhe shpresojmë se në muajt në vijim do të shohim qasje me fleksibile nga të dyja palët. Në takimet e fundit në Prishtinë ka pasur progres në këtë drejtim dhe shpresojmë se edhe në bisedimet tona me Beogradin do të arrijmë progres të tillë”, tha Jiang.

Ne vizitën e tij të fundit në Kosovë kryenegociatori ndërkombëtar për statusin Marti Ahtisari ka deklaruar se palët kanë arritur progres, por ende kanë mbetur shumë çështje ta hapura. Sido që të jetë ai ka bërë të ditur se pret që në fund të vitit të përmbyllen bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

Bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit kanë filluar në shkurt të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe është mbajtur vetëm një takim i nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit ku është diskutuar për statusin. Në asnjërin nga takimet nuk është arritur ndonjë marrëveshje.


XS
SM
MD
LG