Ndërlidhjet

TRASHËGIMIA E URAGANIT KATRINA


Heather Maher, RFE/RL

Presidenti Bush u ka thënë qytetarëve të Misisipit se kanë bërë një punë të mrekullueshme në përpjekjet e tyre për t’u rimëkëmbur nga stuhia Katrina, e cila para një viti e shkatërroi pothuajse tërësisht vendin e tyre.

"Nuk mund të qarkulloni nëpër këtë shtet dhe të mos i shihni shenjat e rimëkëmbjes dhe ripërtëritjes. Është thjesht e pamundur që të mos i shihni shenjat e shpresës”, ka thënë presidenti amerikan, gjatë një vizite dyditëshe në këtë rajon, i cili në shumë vende duket sikur koha është ndalur para një viti.

Dhe për dallim nga optimizmi në fjalimin e presidentit, pejsazhi vazhdon të jetë I mbushur me shtëpi të shkatërruara, ndërtesa të braktisura dhe vetura të ndryshkura, që të gjitha trashëgimi e uraganit Katrina, gjatë të cilit vdiqën 1 500 njerëz, 400 mijë të tjerë u zhvendosën, ndërkaq dëmet arritën në 80 miliardë dollarë.
Një vit më vonë, hulumtimet tregojnë se 56 përqind e amerikanëve mendojnë se qeveria nuk ka bërë mjaft për viktimat e Katrinës.

Larry Sabato, drejtor i Qendrës për Politikë në Universitetin e Virxhinias, thotë se Katrina ka ndryshuar shumëçka për zotin George Bush.
"Presidenti Bush, në vend që të jetë vendimtar, efektiv dhe lider kompetent, ai nuk ka mundur të bëjë asgjë, nuk ka mundur të bëjë gjënë e duhur dhe nuk është kujdesur. Tani, ky mund të jetë imazh i rrejshëm, por ky imazh është krijuar jo vetëm tek qytetarët e Misisipit dhe Luizianës, por tek e gjithë Amerika”, thotë zoti Sabato.

Ai thotë se të rralla janë rastet kur vëmendja e mbarë Amerikës është përqëndruar tek një ngjarje dhe Katrina ishte një nga momentet kritike kur çdo hap I zotit Bush është vëzhguar nga afër.
"Dhe pikërisht këtu presidenti Bush ka dështuar. Ai ka mundur të bëjë shumë më shumë përgjatë tërë vitit, por njerëzve nuk u është kushtuar vëmendje. Ai nuk do t’i ketë meritat dhe imazhi i tij është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme”, thotë zoti Sabato.
Ai madje është i mendimit se perceptimet rreth kësaj çështjeje janë formuar para shumë kohësh dhe opinioni nuk do të mund të ndikohet tash nga fjalimi i kësaj jave i zotit Bush.

Zoti Sabato thotë se amerikanët e kanë vendosur mbi mënyrën se si presidenti aktual është duke e udhëheqëur vendin dhe në këtë kuadër ai parasheh se gjatë votimeve të nëntorit, votuesit do të jenë kundër partisë republikane të presidentit amerikan. Po ta kishte mundësinë ta këshillonte zotin Bush se si ta shënojë njëvjetorin e Katrinës, zoti Sabato do ta këshillonte ta tregojë të vërtetën.

"Presidenti duhet të jetë i sinqertë. Ai duhet ta përsërisë sërish faktin se ai dhe qeveria e tij kanë dështuar, pavarësisht nga ajo se sa e pakëndshme mund të jetë një gjë e këtillë për të. Natyrisht, ai mund të flasë edhe për përparimin, por unë mendoj se ai duhet të jetë i sinqertë se përparimi ka qenë shumë më i vogël seç kanë qenë parashikimet e presidentit, madje edhe para gjashtë muajsh”, thotë zoti Sabato.

Ai e pranon se një strategji e këtillë mund të jetë e rrezikshme, por meqë deri tek zgjedhjet kanë mbetur vetëm edhe pak javë dhe hulumtimet mbi zotin Bush janë nën nivelin e duhur, presidenti nuk ka se çfarë të humbë.

XS
SM
MD
LG