Ndërlidhjet

ÇFARË KËRKON ME RIKTHIMIN E TRETË FATOS NANO?


Lutfi Dervishi

Ish kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano është rikthyer në jetën politike të ditës me kritika ndaj kryetarit aktual të socialistëve, duke paralajmëruar zhvillime të reja në kampin e opozitës, por edhe në drejtimin që do të marrë debati mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri.

Fatos Nano u rikthye saktësisht një vit pasi dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë, për shkak të humbjes që pësoi Partia Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2005. Që në momentin e largimit dhe deri këtë javë besohej se periudha e "gjumit" e zotit. Nano dhe mbështetësve të tij, do të zgjaste deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale.

Zgjedhjet lokale kanë veçorinë që janë shumë të vështira për të dalluar qartë fituesin dhe humbësin, por janë rast i mirë për kritikuesit për të nisur fushatën e sulmeve ndaj lidershipit të partisë. Por "padurimi" i Nanos lidhet me zhvillimet e fundit në kampin e opozitës. Partitë e opozitës pas një viti traumatik ku fajësonin njëri- tjetrin për humbjen në zgjedhje dhe ku liderët i mëshonin më shumë se ç'duhet pedalit të protagonizmit personal, më në fund arritën në një marrëveshje për të koordinuar veprimet dhe për të punuar bashkërisht për zgjedhje të parakohshme parlamentare në vitin 2007- vit kur parlamenti duhet të zgjedhë presidentin e Republikës.

Është hera e tretë brenda 8 vjetëve që Fatos Nano largohet nga drejtimi i partisë dhe qeverisë dhe kërkon të rikthehet me po të njëjtën model lëvizje: Shprehje publike në media e pakënaqësisë ndaj lidershipit, akuza për kopjim të modelit Berisha në drejtimin e punëve, nisje e një turi në bazën e partisë, grumbullimi i pakënaqësisë në grupin parlamamentar dhe strukturat e partisë dhe së fundi vënia para kushtit: ose unë i pari, ose të gjithë të humbur.

Fatos Nano u largua në shtator të vitit 1998, pas trazirave që mbërthyen vendin pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari dhe u rikthye në drejtimin e partisë pas një viti ku mundi në kongres me rezultat të ngushtë, kryeministrin e atëhershëm Pandeli Majko. Në shtator të 2001, Nano nisi një lëvizje të pagëzuar me emrin "katarsis", lëvizje që solli rrëzimin e kryeministrit Meta, rikthimin në krye të qeverisë (por vetëm për disa muaj) të Pandeli Majkos dhe më në fund lëvizja u kurorëzoa me kthimin e Fatos Nanos si kryeministër.

Dy kthimet e para, Nano i ka bërë kur Partia Socialiste ishte në pushtet. Tani PS-ja, ndodhet në opozitë, por në opozitë me udhëheqjen e saj është edhe ish kryetari, për të cilin koha ka dëshmuar se është më aktiv kur nuk ka pushtet. Pas vetes zoti Nano ka edhe disa mbështetës të deklaruar në grupin parlamentar. Përvoja politike ka treguar se ky grup zvogëlohet ose rritet në varësi të suksesit apo dështimit që ka orteku politik i nisur nga një njeri.

Fatos Nano është lideri historik i Partisë Socialiste dhe nostalgjia për të nuk ekziston vetëm në radhët e mbështetësve në struktura, por edhe në anëtarësi. Këtë radhë ai mund të mos jetë aq i fuqishëm sa të përmbysë situatat, por ka kapacitetin dhe është i paparashikueshëm për të kryer lëvizje befasuese. Pyetja që vjen pas lëvizjes së fundit, që duhesh bërë që në fillim është: çfarë kërkon Fatos Nano? Përgjigja e kësaj pyetje lidhet me një dilemë që përballen partitë e mëdha: çfarë do të bëjnë ata me (ish) liderët e tyre?

Përvoja e zotit Nano, por jo vetëm e tij, po tregon se kur një lider partie jep dorëheqje publike, kjo nuk do të thotë se ai nuk ka ndërmend të kthehet prap një ditë. Jeta politike e një lideri është e barazvlefshme me jetën biologjike të tij. Për t'i dhënë përgjigje pyetjes: zoti Nano, ashtu si çdo njeri që e ka kthyer politikën në profesion kërkon pushtet. Këtë radhë ai e kërkon brenda partisë së vet. Sa kërkon, sa do të jetë në gjendje të marrë dhe (s)a do t'i japin, këtë do ta tregojnë ditët dhe javët në vijim.

XS
SM
MD
LG